Pes kritikave dhe vërejtjeve opozita ka kërkuar të hënën që mos të miratohen me nguti dy projektligjet, për Zyrtarët Publikë dhe ai për Pagat në Sektorin Publik.
Gjatë shqyrtimit të tyre mes dy leximeve në Komisionin për Administratë Publike, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Isak Shabani kërkoi që këto dy projektligje të mos miratohen me nxitim ose me procedurë të përshpejtuar.
“Ky nxitim ka për qëllim të miratohen me shpejtësi pa ndryshime për të përfunduar pastaj në Kushtetuese këto dy ligje. Sot s’kemi me mundur as me i lexuar jo me i shqyrtuar dhjetëra qindra amendamente. Kështu që duhet me na dhënë kohë dhe duhet me u shtyrë për të pasur ligje të mira”, tha ai.
Për këtë kryetari i Komisionit nga radhët e Vetëvendosjes, Valon Ramadani tha se ka një vendim të Kuvendit për përshpejtim të afateve të miratimit të këtyre dy projektligjeve.
Edhe deputeti nga AAK, Besnik Tahiri ka thënë se shqyrtimi me nguti i Kuvendit për Projektligjin për Zyrtarë Publikë dhe Projektligjin për Pagat është i gabim.
Tahiri tha se ka propozuar një amendament për Projektligjin për Pagat për caktimin e vlerës së koeficientit në 129 euro.
Megjithatë, ai pret që punonjësit e Gjykatës dhe Prokurorisë do të jenë të pakënaqur me Ligjin për Pagat dhe do ta dërgojnë në Kushtetuese për shkak të uljes së pagave të tyre.
Ndërsa, për Projektligjin për Zyrtarët Publikë, Tahiri tha se sigurt që do të përfundojë në Kushtetuese.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami tha se shqetësim i Zyrës së BE-së dhe LDK për Projektligjin për zyrtarët publikë mbetet shpallja e rekrutimit pas një viti për të gjitha pozitat e nivelit të mesëm menaxherial.
“Në qoftë se këto shqetësime nuk do të merren parasysh, ky ligj do të përfundojë në Kushtetuese”, tha Bajrami.
Kuvendi në seancën e fundit ka vendosur që me procedurë të përshpejtuar të shqyrtohen këto dy projektligje në lexim të dytë në seancën e së enjtes së ardhshme. /KP/Telegrafi/