Telegrafi

​Opozita e shqetësuar për raportet me aleatët, pushteti e quan të padrejtë qasjen e BE-së dhe ShBA-së

Reagimet e aleatëve ndërkombëtarë të Kosovës pas vendimit për mbylljen e komunave paralele serbe në veri janë shqetësuese sipas dy partive opozitare LDK dhe AAK.

Megjithëse thonë se strukturat ilegale serbe në veri duhet të shuhen, të njëjtit e konsiderojnë të domosdoshëm koordinimin me aleatët perëndimorë.

Në anën tjetër, në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje deklaratat e ashpra të aleatëve i konsiderojnë të padrejta, derisa theksojnë së shuarja e strukturave ilegale në veri nuk janë provokuese, por respektim i rendit dhe ligjit.

Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi thotë për KosovaPress se kryeministri Kurti dhe ministrat e ti janë të izoluar nga aleatët ndërkombëtarë. Sipas saj, masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe mos largimi i tyre janë alarm për prishjen e raporteve me aleatët perëndimorë.

“Kryeministri Kurti dhe ministrat e tij tashmë janë të izoluar pasi nuk kanë asnjë takim në arenën ndërkombëtare dhe s’kanë asnjë marrëveshje ndërkombëtarë. Ne për herë të parë kemi masa nga Bashkimi Evropian”, thotë Krasniqi.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, deklaron se Kosova si pasojë e veprimeve të gabuara të kryeministrit Kurtit po humb aleatët dhe miqtë perëndimorë.

“Kosova është e sanksionuar dhe në bazë të këtyre sanksioneve Kosova ka humbur diku rreth 600 milionë euro dhe ende kërcënohemi për sanksione shtesë. Sa herë që kjo qeveri ka marrë veprime në kundërshtim dhe pa dakordim me aleatët Kosova ka humbur…E kemi humbur përkrahjen e ndërkombëtarëve, kjo është më e keqja që mund t’i ndodhë Kosovës. Humbja e aleatëve dhe miqve tanë, sepse pa aleatë dhe miq rruga evropiane e Kosovës është e stopuar”, tha Kadrijaj.

Në anën tjetër, deputeti i LVV-së, Enver Dugolli, megjithëse i konsideron të padrejta reagimet e aleatëve ndërkombëtarë për mbylljen e komunave paralele serbe në veri, deklaron se raportet nuk janë përkeqësuar.

“Raportet nuk janë prishur dhe as nuk do të prishen. Janë deklarata konsideroj të padrejta dhe të ashpra. Qeveria e Kosovës në asnjë rrethanë nuk instrumentalizon as Policinë e Kosovës dhe as ndonjë institucion tjetër. Është ligji që udhëzon qeverinë dhe institucionet të tjera të veprojnë. Pas një kërkese të MAPL-së policia është e obliguar të asistojë për lirimin e atyre objekteve dhe për të vënë rregull, rend dhe ligj”, tha Dugolli.

Pas mbylljes së strukturave paralele në veri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë reaguar ashpër ndaj Qeverisë së Kosovës, duke i kualifikuar si “veprime provokuese dhe të njëanshme.” /kp/