Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) do të mbajë sot (e enjte) nga ora 17:00 Kuvendin e Rregullt të Punës.
Por, ky kuvend i rregullt i punës duket mund të ketë edhe një pikë tjetër të rendit të ditës e që do të jetë vota e besimit për kryetarin aktual, Agim Ademi.
Kështu së paku konsiderohet ajo që quhet “opozita” e kryetarit aktual të FFK-së, që është mbledhur në prag të kuvendit të rregullt të punës.
Tahir Batatina (drejtor, tani trajner i Llapit) shihet në një tavolinë me djalin e Fadil Vokrrit, Gramoz Vokrrin.
Në tavolinë është edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili më parë ka pasur funksion drejtues në FFK, ndërsa aty shihet edhe Bajram Zeqiri, sekretar i LRFP-së dhe Hysen Sadiku, ish kryetar i skuadrës së Hysit.
Në kohën kur Fadil Vokrri ishte kryetar i FFK-së, Sadiku fitoi një tender nga FFK prej mbi dy milionë eurosh për krijimin e terreneve të reja sportive me fushë artificiale.
Ende nuk dihet nëse “opozita” i ka bërë votat dhe do të fusë në rendin e ditës mocionin e besimit për kryetarin Agim Ademi.
Polemikat u shtuan së fundmi mes dy taboreve kur u refuzua kërkesa për t’iu dhënë një pozitë drejtuse djalit të Fadil Vokrrit, Gramozit. /Telegrafi/