Barrikadimi i dy taborëve, pro dhe kundër Demarkacionit me Malin e Zi, ka bërë që më 1 shtator të rrezikohet siguria në Kosovë. Sulmet e fundit me bomba kanë shtuar potencialet që seanca e së enjtes të jetë e përcjellë me dhunë e cila, sipas njohësve të sigurisë, do të përcillet edhe pas seancës
Kosova rrezikon të përfshihet në dhunë më 1 shtator kur Kuvendi i Kosovës pritet ta zhvillojë seancën plenare, në të cilën pikë e rendit të ditës është ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin mes Kosovës e Malit të Zi, shkruan “Zëri”.
Në javët e fundit kanë ndodhur një mori sulmesh ndaj institucioneve publike, medieve, drejtuesve të tyre dhe, sipas njohësve të sigurisë, kanë shtuar potencialin më të madh prejse Kosova është pavarësuar që të kaplohet nga dhuna.
Por pavarësisht kësaj, opozita vazhdon të theksojë se do të përdorë çdo mjet për të parandaluar ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, e cila, sipas tyre, i fal tokë Malit të Zi.
Ndërsa, Qeveria pret që të enjten, në seancën për Demarkacion, deputetët do të lihen të qetë dhe pa presione për të votuar pro apo kundër. /Zëri/