Partitë opozitare kanë vendosur që të mos marrin pjesë në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, në të cilën presidenti Thaçi do ta mbajë fjalimin e tij vjetor.
Sipas ligjvënësve opozitarë, i pari i shtetit nuk e luan rolin e unitetit.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot pritet t’i drejtohet vetëm deputetëve të pozitës me fjalimin e tij vjetor në Parlamentin e Kosovës, pasi që seanca do të bojkotohet nga opozita.
“Hashim Thaçi nuk është lider uniteti, pasi që gjatë mandatit të tij si president më shumë i ka mbrojtur interesat e PDK-së sesa të shtetit. Prandaj nuk ia vlen të dëgjohet fjalimi i tij”, ka thënë për “Zërin” deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje” Shqipe Pantina, duke shtuar se si grup parlamentar ende nuk kanë diskutuar nëse do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit kur do ta mbajë fjalim presidenti, por, siç thotë ajo, personalisht do ta bojkotojë këtë fjalim.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë për “Zërin” se LDK-ja ende nuk ka marrë vendim nëse do të marrin pjesë në fjalimin e sotëm të presidentit Thaçi, apo jo. “Veprimin tonë se a do të marrim pjesë në fjalimin e presidentit do ta merrni vesh të premten”, ka thënë Hoti.
Edhe shefi i deputetëve të LDK-së thotë se Thaçi nuk e ka luajtur rolin e unitetit ashtu siç ia kërkon funksioni i tij dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Por, burime të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se Grupi Parlamentar i LDK-së dje ka vendosur që të mos marrë pjesë në seancë gjatë kohës sa do ta mbajë fjalimin presidenti Thaçi.
Derisa opozita e kritikon punën e presidentit të shtetit, deputetët e koalicionit qeverisës mendojnë ndryshe.
Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka lavdëruar punën e presidentit gjatë vitit 2017. Ajo po ashtu bëri të ditur se ajo dhe partia e saj sot do të jenë të pranishëm në Kuvend, ku do ta mbajë fjalimin Thaçi. “Unë mendoj që gjatë kësaj periudhe, sidomos këtë periudhën e fundit ka qenë aktiv në kryerjen e detyrave që i përshkruhen si president në lobimin, qoftë të njohjeve apo të anëtarësimit në organizata të ndryshme. Mendoj që e ka kryer detyrën ashtu siç duhet një president”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për “Zërin” se presidenti Thaçi gjatë fushatës zgjedhore dhe gjatë krijimit të Qeverisë tregoi anshmëri ndaj koalicionit PAN.
“Puna e presidentit Thaçi për vitin 2017 përveç kohës derisa e kemi pasur këtë vakuumin institucional dhe krijimin e Qeverisë kemi pasur edhe tendencat e anshmërisë politike. E dimë se ka pasur takime p.sh. me liderët e koalicionit PAN, por jo edhe me liderët e subjekteve të tjera. /Zëri/
Foto: Arkiv