Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së), Hysni Gucati, është operuar sërish në këmbën në të cilën ishte plagosur gjatë luftës në Kosovë.
Kështu bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, vëllai i Hysni Gucatit, Fehmia i cili tha se ato janë plagë të lirisë.
“Pjesa e trupit tënd ku ti sot u operove për të 30-tën herë është plagë e lirisë që ne sot e gëzojmë”, ka shkruar Gucati për vëllanë e tij. Shërim të shpejtë, vëlla”, ka shkruar Gucati.
Siç mëson Telegrafi, operimin e kreu në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara në Hagë kanë modifikuar dënimin ndaj Gucatit, duke i mundësuar atij lirimin nga burgu, nën disa kushte.
Në maj 2022, Gucati së bashku me ish-nënkryetarin e OVL të UÇK-së Nasim Haradinaj u dënuan me katër vjet e gjysmë burgim për akuzat për pengim të drejtësisë, ndërsa më pas Apeli ua ulin dënimet për tre muaj.
Që të dy u arrestuan më 5 shtator 2020 dhe që atëherë gjendeshin në mbajtje në Hagë.
Ish-nënkryetari i OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj, nuk është liruar me kusht nga burgu në Hagë si ish-kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati. /Telegrafi/