Telegrafi

Operatori i tretë mobil, i nevojshëm

Ish-drejtori ekzekutiv i Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), Shyqyri Haxha, ka thënë se Kosova ka nevojë shumë të madhe për operatorin e tretë mobil.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Haxha ka bërë me dije se operatori i tretë do të ndikojë pozitivisht në rregullimin e tregut të telekomit dhe do t’i sjellë të hyra buxhetit të vendit. “Operatori i tretë duhet ta plotësojë zbrazëtirën e tregut që është okupuar në mënyrë ilegale nga operatorë të palicencuar dhe mungesën e shërbimeve të ofruara nga operatorët e licencuar në Kosovë. Shpresojmë shumë se ky operator i tretë ta marrë tregun e humbur që i ka shkaktuar dëme qindramilionëshe buxhetit të Kosovës dhe të ofrojë shërbime cilësore, të sigurta dhe të favorshme”, ka thënë Haxha.

Ai i ka bërë thirrje Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Kuvendit dhe Qeverisë, mos të lejojnë operatorë që dëmtojnë interesin dhe sigurinë shtetërore të vendit. “Me një fjalë, lansimi i operatorit të tretë nuk duhet të ketë ngjyrim politik”, ka deklaruar ai.

Haxha ka thënë se operatori i tretë mobil do t’i sfidojë operatorët aktualë ‘Vala’ dhe ‘Ipko’. “Më shumë do të sfidohet operatori ‘Vala’, i cili tashmë ka humbur dhe po vazhdon ta humbet tregun si rezultat i keqmenaxhimit, joprofesionalizmit dhe ndërhyrjeve politike të pamëshirshme në vazhdimësi”, ka deklaruar Haxha.

Ish-drejtori i PTK-së, Shyqyri Haxha, ka thënë se operatori ‘Vala’ dhe ‘Ipko’ kanë pasur mundësi reale të ofrojnë shërbime më të lira dhe më cilësore në çdo cep të Kosovës, në mënyrë që të kishte hapësirë shumë të vogël për operatorin e tretë. Por, sipas Haxhës, lidhjet komplekse dhe ndërhyrjet politike kanë pamundësuar ofrimin e këtyre shërbimeve. “Prandaj është e domosdoshme licenca e tretë që ta plotësojë këtë hapësirë”, është shprehur Haxha. /Telegrafi/