Operatorët kryesorë në Shqipëri kanë mbyllur sot aksesin në platformën TikTok, pas një urdhri të lëshuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.
Sipas shifrave, përdoruesit shqiptarë në këtë aplikacion llogariten në 1.5 milion.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike në bashkëpunim me Agjencinë e Komunikimeve Elektronike i kanë kërkuar kompanive të internetit të marrin masa për bllokimin e aksesit në TikTok në territorin shqiptar brenda ditës së enjte (13 mars).
Kërkesa vjen pas vendimit të qeverisë dhe Kryeministrit Edi Rama për të mbyllur aplikacionin duke marrë edhe sugjerimin e prindërve.
Ndërkohë, dy ditë më pas, më 15 mars, Sali Berisha ka thirrur një protestë kundër vendimit të qeverisë për të bllokuar TikTok-un.
Masa e ndalimit u ndërmor për sigurinë e fëmijëve, ndërsa platforma pritet të rihapet sërish në momentin e parë që kompania do të garantojë filtra për të mbrojtur të rinjtë nga videot me mesazhe dhune. /Telegrafi/