Policia e Shtetit e ka arrestuar në Berat një shtetas italian, M.B 47-vjeçar i akuzuar nga autoritetet italiane, si pjesëtar i një organizate kriminale që kryenin vjedhje me dhunë.
Policia njofton se si rezultat i kontrolleve të kryera bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim ndërkombëtar, Shërbimet Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Wanted”.
“Gjatë këtij operacioni, u kap në Berat dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi M. B., 47 vjeç, banues në Berat”, thuhet në njoftim.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Benevento, Itali, me vendimin e datës 16.07.2019, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Grup kriminal në vjedhje me dhunë”, sipas Kodit Penal të Italisë.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma do të kryejnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali. /Telegrafi/