Telegrafi

Operacioni policor në pikën kufitare të Vërmicës, mbi 20 zyrtarë policor të Kosovës të arrestuar 

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht punonjësit nga të gjitha Departamentet operative të saj në koordinim të plotë me Prokurorinë Speciale kanë filluar sot në orët e hershme të mëngjesit një operacion të gjerë në kuadër të autorizimeve dhe fushëveprimit ligjor të IPK-së, ndërsa deri tani janë arrestuar mbi 20 zyrtarë policorë.

Operacionit të sotshëm me emrin “Pika 2” i ka paraprirë një hetim rreth njëvjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa kësaj here cak i hetimit janë zyrtarët policor në pikën kufitare në Vërmicë.

Telegrafi mëson se nga orët e mëngjesit kur ka filluar operacioni policor janë arrestuar mbi 20 zyrtarë policorë.

Ky hetim është duke u zhvilluar në koordinim të plotë dhe udhëheqjen nga Prokuroria Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) duke përfshirë edhe masa të fshehta të hetimit.

Lexo po ashtu Marrje ryshfeti dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare, Inspektorati policor me operacion në pikën kufitare Vërmicë

Hetimi përfshin edhe bashkëpunim me prokurorë nga SPAK-u (Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e Republikës së Shqipërisë) dhe zyrtarët e AMP-së Agjencisë për Mbikëqyrje Policore (agjencia homologe e IPK-së në Shqipëri).

Ndryshe, policë të arrestuar ka pasur edhe në Shqipëri.

Lexo po ashtu Arrestohen 17 policë shqiptarë të akuzuar për korrupsion në doganën e Morinës

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Shqipëri ka njoftuar arrestimin e 17 punonjësve të policisë shqiptare në pikën kufitare të Morinës pas një aksioni të përbashkët policor të zhvilluar me autoritetet e Kosovës, në lidhje me korrupsionin e ushtruar në doganë.

Sipas njoftimit të SPAK, gjatë hetimeve është dokumentuar veprimtaria e kundërligjshme e punonjësve të Policisë së Shtetit në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Kukës gjatë kohës së kryerjes së shërbimit në Morinë.

“Veprimet e kundërligjshme konsistonin në rastet të shumta korruptive të kryera në vijimësi gjatë ushtrimit të detyrës nga e këtyre punonjësve, duke detyruar shtetas shqiptar dhe të huaj që të paguanin shuma të ndryshme parash për kalimin nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas”, ka thënë SPAK. /Telegrafi/