Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht punonjësit nga të gjitha Departamentet operative të saj në koordinim të plotë me Prokurorinë Speciale kanë filluar sot në orët e hershme të mëngjesit një operacion të gjerë në kuadër të autorizimeve dhe fushëveprimit ligjor të IPK-së, ndërsa deri tani janë arrestuar mbi 20 zyrtarë policorë.
Operacionit të sotshëm me emrin “Pika 2” i ka paraprirë një hetim rreth njëvjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa kësaj here cak i hetimit janë zyrtarët policor në pikën kufitare në Vërmicë.
Telegrafi mëson se nga orët e mëngjesit kur ka filluar operacioni policor janë arrestuar mbi 20 zyrtarë policorë.
Ky hetim është duke u zhvilluar në koordinim të plotë dhe udhëheqjen nga Prokuroria Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) duke përfshirë edhe masa të fshehta të hetimit.
Hetimi përfshin edhe bashkëpunim me prokurorë nga SPAK-u (Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e Republikës së Shqipërisë) dhe zyrtarët e AMP-së Agjencisë për Mbikëqyrje Policore (agjencia homologe e IPK-së në Shqipëri).
Ndryshe, policë të arrestuar ka pasur edhe në Shqipëri.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Shqipëri ka njoftuar arrestimin e 17 punonjësve të policisë shqiptare në pikën kufitare të Morinës pas një aksioni të përbashkët policor të zhvilluar me autoritetet e Kosovës, në lidhje me korrupsionin e ushtruar në doganë.
Sipas njoftimit të SPAK, gjatë hetimeve është dokumentuar veprimtaria e kundërligjshme e punonjësve të Policisë së Shtetit në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Kukës gjatë kohës së kryerjes së shërbimit në Morinë.
“Veprimet e kundërligjshme konsistonin në rastet të shumta korruptive të kryera në vijimësi gjatë ushtrimit të detyrës nga e këtyre punonjësve, duke detyruar shtetas shqiptar dhe të huaj që të paguanin shuma të ndryshme parash për kalimin nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas”, ka thënë SPAK. /Telegrafi/