Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë, pas disa veprimeve operativo-hetimore ka ndërmarrë një operacion taktik të koduar me emrin “Marsi” ku është arritur të ndalohen katër persona të dyshuar të cilët ishin duke shkëmbyer substancën narkotike të dyshuar e llojit marihuanë me peshë 114 gramë.
Sipas njoftimit, substanca është gjetur tek i dyshuari me iniciale A.H. ndërsa tre personat e tjerë dyshohet se kishin qëllim blerjen e substancës.
Gjithashtu është kryer kontrollimi i banesës së të dyshuarit A.H. dhe gjatë kontrollimit janë gjetur dhe konfiskuar 2 kg 158 gr. substancë e dyshuar narkotike të llojit marihuanë dhe 1 gr., substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë.
“Lidhur me rastin policia tha se është kontaktuar prokurori kujdestar Departamenti i Krimeve të Rënda dhe me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake është bërë kontrollimi i banesës se dytë ku është gjetur dhe konfiskuar 240 gr. substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë”
“Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: Substancë e dyshuar narkotike të llojit marihuanë gjithsejtë: 2 kg 512 gr; Substancë e dyshuar narkotike të llojit Kokainë 1 gr; Dy peshore digjitale; Katër telefona celularë; dhe 670 euro”, thuhet tutje.
Lidhur me rastin, me urdhër të organeve të drejtësisë është realizuar edhe kontrollimi i një shtëpie në Gjilan, por nuk është gjetur asgjë e dyshuar.
Me vendim mbi ndalimin, personave, të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve, dhe rasti vazhdon të hetohet nga sektori qendror i antidrogës së Policisë së Kosovës.
Një orë më vonë hetuesit e antidrogës në një rast tjetër po ashtu në Prishtinë kanë arritur ta arrestojnë edhe një person tjetër të dyshuar me inicialet K.A. për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge dhe të konfiskohen dëshmi relevante për rastin, njofton Telegrafi.