Telegrafi

Operacioni “Nëntori” konfiskon dokumentet e 185 femrave të huaja që punonin në Kosovë

Policia e Kosovës, e asistuar dhe mbështetur edhe nga njësitet rajonale policore ka implementuar planin operativ të koduar “Nëntori”, i cili kishte për qëllim identifikimin e viktimave të mundshme të trafikimit me qenie njerëzore.

Gjatë zbatimit të planit nga njësitet policore janë kontrolluar 32 lokale, të cilat përveç ushtrimit të veprimtarive legale, kishte dyshime për mundësi të shfrytëzimit të të femrave për trafikim me qenie njerëzore.

Gjashtë nga këto lokale janë mbyllur nga inspektorët komunalë për mungesë dokumentacioni përkatës dhe kanë filluar procedurat e parapara ligjore.

Sipas Policisë, me këtë rast janë arrestuar dy persona, nën dyshimin e bazuar se kanë kryer veprën penale ‘armëmbajtje pa leje’ dhe ‘pengim të kryerjes së detyrës zyrtare’. Gjithashtu është konfiskuar një revole me nëntë copë fishekë dhe dy thika.

Gjatë zbatimit të operacionit në lokalet e kontrolluara gjithashtu janë legjitimuar edhe 185 femra, shumica shtetase të huaja, nga Shqipëria, Serbia Mali i Zi dhe Maqedonia. Të njëjtave u janë konfiskuar dokumentet përkatëse dhe janë udhëzuar të paraqiten në Drejtorinë e Migrimit dhe të Huajve pranë Policisë së Kosovës. /Telegrafi/