Ish-kryetari i OVL e UÇK-së, Hysni Gucati dje iu nënshtrua një operacioni të gjatë dhe të komplikuar.
Djali i tij, Musli Gucati ka treguar për Telegrafin se operacioni ka zgjatur rreth gjashtë orë dhe se gjendja e babit të tij është mirë.
“Operacioni ka zgjatur rreth gjashtë orë, për momentin mirë e ka gjendjen shëndetësore”, ka thënë Musliu.
Ai ka shtuar se Hysni Gucati po vazhdon të qëndroj në spital.
Kujtojmë se Hysni Gucati, është shpallur fajtor nga Gjykata Speciale në maj të këtij viti, për disa nga pikat e aktakuzës që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë, shkeljes së fshehtësisë së procedurës e pengim të personave zyrtar.
Ai u dënua me 4 vjet e gjysmë burgim, duke llogaritur edhe kohën e paraburgimit.
Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës. /Telegrafi/