Site icon Telegrafi

Operacion rajonal antiterror, arrestohen katër persona në Shqipëri

Katër persona, mes tyre edhe një mjek u arrestuan nga policia shqiptare nën akuzën e terrorizmit. Ka qenë një hetim disamujor, ku janë përfshirë jo vetëm policitë e rajonit, por edhe agjencitë ligjzbatuese europiane që ka çuar në pranga katër shtetas në Shqipëri dhe disa të tjerë në Kosovë.

Arrestimi i tyre u bë gjatë orëve të para të mëngjesit të së shtunës, ndërsa policia e publikoi më vonë lajmin e arrestimit të tyre, pasi përfundoi i gjithë aksioni në rajon.

Të arrestuarit ishin pjesë e një rrjeti të gjerë në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni dhe ndihmonin në rekrutimin e të rinjve për t’iu bashkuar terroristëve të ISIS-it.

Hetimi i kësaj çështjeje mbetet sekret për shkak të natyrës së saj dhe policia publikoi vetëm inicialet e të arrestuareve. Policia mendon se ka të tjerë të përfshirë, ndërkaq mban të shoqëruar më shumë se 16 persona, pesë shtetas të huaj dhe 11 shqiptarë. I gjithë ky grup mendohet se ka dijeni në lidhje me rekrutimet.

Operacioni rajonal antiterror nisi në Kosovë dhe më pas vala e arrestimeve ndoqi të njëjtën linjë që përdorin edhe vetë terroristët për t’iu bashkuar ISIS-it.

Policia tha se ka prova të mjaftueshme që katër të arrestuarit në vend, dy me banim në Shkodër dhe dy me banim në Dibër, merrnin financime nga biznesmenë për të bashkuar të rinjtë me ISIS.

Ata ndihmonin gjatë udhëtimit të tyre deri në Siri luftëtarët që shkonin për t’iu bashkuar kësaj organizate.

Akuza që u ngrit mbi ta është ajo e “Veprave me qëllime terroriste”, “Nxitja e urrejtjes ose e grindjeve”, “Organizimi për pjesëmarrje në luftime luftarake në një shtet të huaj”.

Të arrestuarit janë:

Xh. F, 34 vjeç, lindur e banues në Vranjt, Dibër

B. P, 30 vjeç, lindur në Tiranë, banues në Shkodër

E.F, 30 vjeç, lindur e banues në Shkodër

M. H, 46 vjeç, lindur në Peshkopi, Dibër, me banim në Tiranë.

Exit mobile version