Policia e Kosovës ka përfunduar me sukses operacionin e koduar “Shpërndarësi,” duke sekuestruar sasi të konsiderueshme narkotikësh, armësh dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Operacioni, i cili pasoi një hetim disa-mujor nga Njësia për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve (DHTN) në Prishtinë, u zhvillua më 18 janar 2025, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Rasti i parë: Operacioni filloi në rrugën magjistrale Prishtinë-Ferizaj, ku një automjet Mercedes u ndalua dhe te drejtuesi i saj (Sh.S.) u gjet një qese me kokainë me peshë 5.35 gramë.
Rasti i dytë: Në rrugën “Vicanum” u ndalua një Audi Q8 i drejtuar nga i dyshuari (Xh.S.), ku u zbuluan 21 paketime me kokainë (20.1 gramë). Po në këtë lokacion, një Volvo ngjyrë hiri u ndalua dhe drejtuesi i saj (F.S.) u shoqërua si i implikuar në rast.
Në bastisjet e realizuara në rrugën “Dëshmorët e Marecit” në Prishtinë dhe në një garazh në fshatin Suhodoll të Lipjanit, u konfiskuan:
Sasi të mëdha narkotikësh: 219 qese me kokainë (114.4 gramë), një paketim (171.5 gramë) dhe të tjera.
Armë dhe municione: Dy revole me fishekë dhe një granatë dore F1.
Tri vetura të përdorura për fshehje dhe shpërndarje (Audi Q8, Mercedes dhe Phaeton).
Një veturë e dyshuar për vrasje në tentativë: Golf 7 ngjyrë e kaltër, e fshehur në një garazh në Suhodoll.
Para të gatshme (7900 euro dhe 100 dollarë), katër telefona celularë dhe pajisje DVR.
Vlera e kokainës së sekuestruar llogaritet rreth 30,000 euro nëse do të shpërndahej në treg.
Me urdhër të Prokurorit të Krimeve të Rënda, është hapur procedurë penale për veprat: Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve si dhe mbajtja në kontroll, posedimi i paautorizuar i armëve.
Të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër veprimtarive kriminale dhe për ruajtjen e sigurisë publike./Telegrafi/