Site icon Telegrafi

OpenAl heq llogaritë e përdoruesve nga Kina dhe Koreja e Veriut të dyshuar për aktivitete keqdashëse

OpenAI ka hequr llogaritë e përdoruesve nga Kina dhe Koreja e Veriut, të cilët kompania e Inteligjencës Artificiale beson se po përdornin teknologjinë e saj për qëllime keqdashëse.

“Aktivitetet janë mënyra se si regjimet autoritare mund të përpiqen të përdorin Al kundër SHBA-së, si dhe kundër njerëzve të saj”, tha OpenAI në një raport.

Por, kompania nuk dha asnjë tregues se sa llogari u ndaluan ose në cilën periudhë kohore ndodhi veprimi.

Në një rast, përdoruesit kishin bërë që ChatGPT të gjeneronte artikuj lajmesh në spanjisht që denigronin SHBA-në dhe u botuan nga mediat kryesore të lajmeve në Amerikën Latine nën linjën e një kompanie kineze, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

Në një rast të dytë, aktorë keqdashës të lidhur potencialisht me Korenë e Veriut përdorën Al për të gjeneruar rezyme dhe profile në internet për aplikantë për punë, me synimin për të gjetur punë me mashtrim në kompanitë perëndimore.

Një grup tjetër llogarish ChatGPT që dukej se ishin të lidhura me një operacion mashtrimi financiar me bazë në Kamboxhia përdori teknologjinë e OpenAI për të përkthyer dhe gjeneruar komente në rrjete sociale dhe platformat e komunikimit, duke përfshirë X dhe Facebook.

Raportohet se qeveria amerikane ka shprehur shqetësime për përdorimin e supozuar të Inteligjencës Artificiale nga Kina, për të shtypur popullsinë e saj, për të përhapur dezinformata dhe për të minuar sigurinë e SHBA-së dhe aleatëve të saj.

Ndryshe, ChatGPT i OpenAI është chatboti më i popullarizuar i AI dhe përdoruesit aktivë javor të kompanisë kanë tejkaluar 400 milionë. /Telegrafi/

Exit mobile version