Një nga temat më të rëndësishme në botën e automobilave në vitin 2023 është lufta e çmimeve, e cila aktualisht po shkakton probleme të shumta për disa prodhues.
Lufta e çmimeve po shkaktohet nga prodhuesit e veturave elektrike nga Kina, si dhe nga Tesla. Korporatat evropiane i qasen të gjithë fenomenit në mënyra të ndryshme. Disa luftojnë për çmime më të ulëta, të tjerë kritikojnë praktika të tilla dhe disa thjesht nuk mund ta përballojnë atë.
Pra, a do të thotë kjo se nëse duam të blejmë një veturë elektrike të lirë, por të besueshme, do të duhet të zgjedhim markat kineze? Në fund të fundit, rezulton se blerësit evropianë nuk duhet të dënohen me një të ardhme të tillë.
Vitin e ardhshëm, Citroën ë-C3 duhet të jetë në dispozicion në Evropë, si një hatchback më i vogël elektrik, versioni bazë i të cilit pritet të jetë me çmim nën pragun magjik prej 25,000 euro.
Duket se tani në lojë po hyn edhe Opel. Demonstrimi publik i konceptit të tij Eksperimental dhe premiera e versioneve të reja elektrike të Astra dhe Corsa janë vetëm disa nga informacionet interesante. Florian Huettl, drejtor menaxhues i markave Opel dhe Vauxhall, pranoi se zhvillimi i grupit Stellantis hap perspektiva krejtësisht të reja për automjetet e tyre elektrike.
“Me platformat e reja tërësisht elektrike nga Stellantis, ne do të jemi në gjendje të ofrojmë çmime që na lejojnë të arrijmë një audiencë shumë më të gjerë”, tha Huettl për mediat.
Një raport i përbashkët i “Automotive News Europe” dhe “Reuters” zgjeron më tej kontekstin e kësaj deklarate. Veturën elektrike të Opel-it me një çmim prej rreth 25 mijë euro duhet ta presim vetëm në vitin 2026, dhe ndoshta është një binjak i Citroën ë-C3 të lartpërmendur. /Telegrafi/