Planet për modelin e SUV-it më të madh në gamën e Opel-it janë ngrirë pasi në fillim të gushtit kompaninë edhe zyrtarisht e mori grupi PSA, transmeton KosovaPress.
Siç shkruan Auto Express, e ardhmja e një modeli të tillë aktualisht është e paqartë dhe sigurisht se planet për zhvillimin e tij nuk do të hyjnë së shpejti në rendin e ditës.
Burimi i njëjtë thotë se SUV-i i Opel-it nuk përfshihet në planin afarist të kompanisë, i cili duhet të merret në 100 ditët e ardhshme dhe t’iu prezantohet pronarëve të ri – grupit PSA Peugeot Citroen. Opel më herët gjatë këtij viti paralajmëroi se planifikon prodhimin e modelit të madh SUV, i cili do të prodhohej në Riselshaim dhe të dalë në shitje pas tri vjetësh.
Ky model pritet t’i bashkëngjitet gamës crossover/SUV, të cilin deri më tash e përbëjnë Crossland X, Mokka X dhe Grandland X, dhe në treg do të ishte rival i automjeteve si Ford Edge, i cili që një kohë të gjatë është i pranishëm në Evropë.