Site icon Telegrafi

Oligarkut rus Viktor Vekselberg i bllokohen 1.5 miliard dollarë asete për shkak të sanksioneve amerikane

Manjatit rus Viktor Vekselberg i janë ngrirë asetet në vlerë prej 1.5 miliard dollarëve [1.24 miliard euro], si rezultat i sanksioneve amerikane.

Pronari i konglomeratit Renova Group, u vendos nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në muajin prill të 2018-së, si pjesë e përgjigjes së Washingtonit ndaj “aktiviteteve malinje të Rusisë” – aneksimi i Krimesë, përfshirja në Ukrainën Lindore dhe ndërhyrja e pretenduar në zgjedhjet presidenciale të 2016-së.

Sanksionet kanë ngrinë pasuritë e shumë oligarkëve rusë, të cilët SHBA pretendon se janë të afërt me Kremlinin dhe në përgjithësi pengojnë bizneset dhe individët e vendeve perëndimore të punojnë me ta.

Në një intervistë, ai kishte thënë se, ka “më shumë se” 1.5 miliard dollarë asete jashtë Rusisë që ai nuk mund t’i përdorë më pa lejen e Departamenti amerikan të Thesarit. Shumica e këtyre aseteve besohet të jenë aksione të kompanive që janë të vendosura në Zvicër.

Sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloombergut, Vekselberg vlen më shumë se 16 miliardë dollarë. Krahas interesave të tij në biznes, po ashtu ai qëndron pas një numri të projekteve arsimore dhe kulturore të mbështetura nga qeveria ruse, përfshirë grupin Skolkovo – përpjekja e Rusisë për të zhvilluar një ekosistem të ngjashëm me Silicon Valley në periferitë e Moskës, i favorizuar nga ish-presidenti Dmitry Medvedev.

Vendosja e sanksioneve kundër figurave të biznesit rus është rikthyer në qendër të vëmendjes javëve të fundit, si masë ndëshkuese kundër Kremlinit, pas helmimit dhe arrestimi të opozitarit Alexei Navalny. /Telegrafi/

Exit mobile version