Kohë më parë, kantautori Alban Skënderaj, paralajmëroi koncert madhështor në Prishtinë. Në koncertin e organizuar nga banka ProCredit më 1 qershor në oborrin e Bibliotekës Kombëtare, marrin pjesë mbi 30 muzikantë nga Tirana.
Redaksia ka mësuar se performancës së kantautorit Skenderaj në Prishtinë i bashkëngjitet edhe OlenCesari, mjeshtri i violinës që nga kritika konsiderohet si ‘Paganini i ri’, ‘Virtuozi i Violinës’. Ai ka ndarë jetën e tij profesionale dhe atë të karrierës në mes të dy vendeve, atë të Shqipërisë dhe Italisë.
Alban Skenderaj kohë më parë ka konfirmuar edhe pjesëmarrjen e fituesit të ‘Voice of Albania 2017’ – Klint Çollaku, derisa në një postim të tij në rrjete sociale, kantautori Skenderaj paralajmëroi edhe pjesëmarrjen e Olen Cezarit në koncertin e tij.
“Me mikun tim OlenCesari i cili mbas një super suksesi me koncertin tij qe beri dy net ‘SoldOut’ në Pallatin e Kongreseve në Tiranë kthehet si i ftuari im special në Koncertin Recital të Prishtinës me datë 1 qershor. #TingujEDitaritTim”, ka shkruar Skenderaj në profilin e tij në Facebook.
Alban Skenderaj do të performojë këngë origjinale me një numër të muzikantëve profesionistë në instrumente të ndryshme. Artisti ka lënë të hapur mundësinë e pjesëmarrjes së artistëve tjerë të vendit, të cilët për shumë vite bashkëpunuan me të.
Po të njëjtën ditë banka ProCredit, ndër të parat e themeluara në Kosovën e pasluftës, sjell edhe një numër të aktiviteteve tjera argëtuese për të gjitha grupet e moshave në Kosovë.
Programi i përgatitur enkas, në ora 19:30 fillon me organizimin e lojërave argëtuese për fëmijë duke vazhduar me performancën e shumëpritur të Alban Skënderajt me mysafirë, dhe me shfaqjen e fishekzjarrëve të sinkronizuara me muzikë në sfond.
Pjesëmarrja është e hapur dhe falas për të gjithë të interesuarit.