Rosalia Romaniec
Ishte një fjalim tipik i Olaf Scholzit: Kancelari gjerman foli shumë i qetë, gati-gati pa asnjë lëvizje, por me shumë përmbajtje: Bashkimi Evropian duhet të bëhet një lojtar i fuqishëm global, një rajon kryesues për ekonominë dhe teknologjinë, një komunitet i madh vlerash, sovran dhe pragmatik, që mund të vetëmbrohet. E kush nuk e miraton këtë?
Scholz foli qartë për raunde të reja të zgjerimit. Sidomos vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina duhet të bëhen anëtare të BE – në një të ardhme unioni do të kishte 36 vende anëtare.
Kancelari gjerman prezantoi vizionin e tij për një Evropë moderne dhe të hapur, madje pa asnjë tabu. “Bllokadat mund të tejkalohen, rregullat evropiane mund të ndryshohen, në rast nevoje me ritëm të shpejtë.” Me këtë Scholz iu përafrua propozimeve të presidentit Macron, të cilat Angela Merkel i la të kalonin pa zhurmë. Ky është një konfirmim i vonuar, por megjithatë mban dinamikë brenda.
Scholz kërkoi një shkëputje me disa faza prej parimit të unanimitetit në BE, drejt krijimit të mazhorancave pragmatike. Një qasje e mirë dhe që duhej të ishte praktikuar prej kohësh, që Evropa edhe në të ardhmen të funksionojë. Edhe zemra institucionale e BE, Komisioni Evropian dhe Parlamenti duhet të reformohen rrënjësisht. Plani i Scholzit për ristrukturimin e BE frymëzohet nga arkitektura moderne. “Forma ndjek funksionin”. Pragmatizëm i pastër gjerman.
Vetëm se në lindjen evropiane nuk kuptohet ky lloj pragmatizmi. Ose nuk i besohet atij. Olaf Scholz duke respektuar frikën e evropianolindorëve nga dominanca e theksuar gjermane theksoi se këto “nuk janë zgjidhje të gatshme”, por vetëm impulse, për të cilat ai do që të diskutojë. Por kur erdhi puna tek shkëmbimi konkret (ishte planifikuar një raund pyetjesh me studentët) oferta për dialog në program doli si zgavër. Diskutimi u anulua në momentin e fundit, kancelari shkoi në një bisedë kokë më kokë me homologun e tij çek, Petr Fiala. Aty nuk u bë më fjalë për vizionet e Evropës, por për furnizimin me energji në krizën aktuale.
Ristrukturimi radikal i BE, si e përfytyron Scholz nuk i interesoi shumë mikpritësit. Çekia është kundër zgjerimit të praktikës për marrjen e vendimeve me shumicë, bëri të qartë Fiala. Megjithëse ai nuk e ndoqi fjalimin e Scholzit, me gjasë “për arsye teknike”, se nuk ishte e mundur. Një moment irritues këtë ditë të fjalimit.
Kjo duhet ta bëjë Scholz të mendohet. Ai e zgjodhi Pragën me qëllim si vend të fjalimit parimor për Evropën. Jo vetëm për shkak të presidencës çeke të BE, por edhe si sinjal të vetëdijshëm ndaj Evropës lindore. “Qendra e Evropës po rrotullohet nga lindja”, tha Scholz. Ai nuk do ta pranojë sulmin e Putinit kundër Evropës dhe premtoi ndihma të mëdha për rindërtimin e Ukrainës dhe investime në sigurinë e përbashkët evropiane. Ndër të tjera ai ofroi që Gjermania të marrë përsipër ngritjen e artilerisë ukrainase dhe mbrojtjen ajrore. Kjo nuk është pak dhe nëse bëhet është një pikë e re kthese e Gjermanisë.
Fjalimi i Scholzit nuk ngjalli entuziazëm: asnjë duartrokitje ndërmjet, vetëm në fund duartrokitje të përmbajtura. Scholz nuk gjeti gjuhën e duhur; në vend që t’i bindte evropianolindorët me propozime konstruktive kompromisi nga Berlini ai vazhdoi shponte më tej kërcënues në plagën e shtetit ligjor. Ai duhej të ishte përqendruar më shumë me fitimin e besimit. Sepse nga qëndrimi lindor besueshmëria e Gjermanisë është dëmtuar shumë që nga agresioni rus në Ukrainë.
Olaf Shcolzit i mungon dhuntia për të kuptuar lindjen evropiane, që aktualisht është më e rëndësishme se kurrë. Kancelari gjerman ka një vizion të kuptueshëm për një BE moderne. Por, nëse nuk e fiton Lindjen për këtë vizion, ai do të mbetet një ëndërrimtar gjerman. /DW/