Site icon Telegrafi

OKB vlerëson se 250 mijë njerëz do të detyrohen të largohen nga qyteti Khan Younis në jug të Gazës

Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) njoftoi se për shkak të sulmeve të Izraelit parashikohet që 250 mijë njerëz do të detyrohen të largohen nga qyteti Khan Younis në jug të Gazës.

Në deklaratën e UNRWA-së në llogarinë X të medias sociale thuhet se ushtria izraelite ka bërë sërish paralajmërime për evakuim nga rajoni për njerëzit e zhvendosur “vetëm disa javë pasi palestinezët u detyruan të rikthehen në Khan Younis, në një gjendje të shkatërruar”.

“Palestinezët në rajon po përballen edhe një herë me zhvendosje dhe asnjë vend në Gaza nuk është i sigurt. Parashikojmë që 250 mijë njerëz do të detyrohen të largohen (nga Khan Younis)”, thuhet në deklaratën e UNRWA-së.

Ushtria izraelite bëri paralajmërimin “evakuoni rajonin”

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee dje në një deklaratë nga platforma e medias sociale X, kërkoi nga palestinezët që “për sigurinë e tyre” të evakuojnë urgjentisht zonat në lindje të qytetit Khan Younis.

Palestinezët në lindje të qytetit u detyruan të zhvendosen drejt zonës Al-Mawasi disa orë pas thirrjes së ushtrisë izraelite.

Rajoni Al-Mawasi ndodhet në perëndim të Rafah dhe nuk është zonë vendbanimi.

Palestinezët e zhvendosur përpiqen të jetojnë në kushte shumë të vështira në rajonin ku mungojnë infrastruktura, rrjetet e ujërave të zeza, linjat e energjisë elektrike, rrjetet e komunikimit dhe interneti.

Njerëzit që lanë shtëpitë e tyre dhe u strehuan në këtë rajon po përjetojnë mungesë të madhe të ujit, ushqimit, pastrimit dhe shërbimeve shëndetësore. /AA/

Exit mobile version