Telegrafi

OKB-ja kërkon armëpushim humanitar në konfliktin izraelito-palestinez

Forcat ajrore dhe tokësore izraelite zgjeruan sulmet e tyre ndaj Hamasit në Rripin e Gazës të premten, tha ushtria, dhe grupi militant palestinez tha se luftëtarët e tij po përlesheshin me trupat izraelite në zonat afër kufirit me Izraelin.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mbështeti me shumicë dërrmuese një rezolutë të hartuar nga shtetet arabe që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar dhe kërkoi aksesin e ndihmës në territorin e rrethuar dhe mbrojtjen e civilëve, raporton Reuters, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Sulme masive në Gaza, banorët thonë se bombardimet e sotme ishin më intensive që nga 7 tetori

Edhe pse jo detyruese, rezoluta ka peshë politike, duke reflektuar gjendjen globale. Rezoluta kaloi në një raund duartrokitjesh me 120 vota pro, ndërsa 45 abstenuan dhe 14 – përfshirë Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara – votuan kundër.

Në Gaza, firmat lokale të telekomunikacionit dhe Shoqëria Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe thanë se shërbimet e internetit dhe telefonisë celulare ishin ndërprerë.

Lexo po ashtu Ushtria izraelite: Kemi shtuar sulmet në Gaza, po bombardojmë gjerësisht objektivat nëntokësore

“Në orët e fundit, ne i intensifikuam sulmet në Gaza”, tha kundëradmirali Daniel Hagari, në një konferencë televizive të premten. Forcat ajrore të Izraelit po kryenin sulme të gjera mbi tunele dhe infrastrukturë tjetër, u shpreh ai. /Telegrafi/