Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të bashkuara, Antonio Guterres ka dënuar ashpër sulmet ndaj popullatës civile, ndërsa Azerbajxhani dhe Armenia akuzohen për shkelje të armëpushimit të ri në Nagorni-Karabaku.
Guterres dënoi “të gjitha sulmet ndaj zonave të populluara të prekura nga konflikti”.
“Vdekja tragjike e civilëve, veçanërisht e fëmijëve, në sulmin e fundit më 16 tetor në qytetin e Ganja është plotësisht e papranueshme”, tha zëdhënësi i Guterres, Stefan Dijarik, transmeton Telegrafi.
Sekretari i Përgjithshëm shprehu gjithashtu “keqardhje të thellë” që të dy palët në konflikt “injoruan” thirrjet e përsëritura të bashkësisë ndërkombëtare për një armëpushim të menjëhershëm.
Një total prej 13 civilësh, përfshirë fëmijët, u vranë në bombardimet e qytetit të Ganja, qyteti i dytë më i madh në Azerbajxhan, natën midis të premtes dhe të shtunës. Rreth 50 persona u plagosën në sulm.
Bomba në qytetin e Ganja ndodhi një javë pas përpjekjes së parë për të arritur një armëpushim nën kujdesin e Rusisë.
Armenia dhe Azerbajxhani arritën një marrëveshje mbi një armëpushim të ri, i cili hyri në fuqi në mesnatën e së shtunës, por të dy vendet vazhdojnë të akuzojnë njëri-tjetrin për shkeljen e marrëveshjes.
Nagorni-Karabaku është një enklavë armene në Azerbajxhan dhe që nga lufta në gjysmën e parë të viteve 1990, qeveria në Baku nuk ka pasur kontroll mbi territorin. Disa qindra njerëz u vranë në konfliktin, i cili filloi në fund të shtatorit. /Telegrafi/