Shoqëria civile po kërkon që të përsëritet konkursi për të përzgjedhur Komisionerin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
Monitoruesit nga Lëvizja Fol thonë se ky rekomandim ishte jo-meritor dhe se gjatë procesit ka pasur shkelje.
Ata po kërkojnë që konkursi të përsëritet.
“Në procesin e fundit rekrutues Lëvizja Fol ka vërejtur se CV-ja e njërit prej kandidatëve, që ishte edhe kandidati më i poentuar, ka pasur dallime të mëdha me të dhënat e tri konkurseve të kaluara të këtij kandidati. Ne mendojmë se procedurat e përzgjedhjes së Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi duhet të fillojnë nga e para dhe se duhet të ketë vlerësime në bazë të meritokracisë”, deklaroi Albana Hasani nga Lëvizja FOL.
Edhe nga Instituti Demokratik i Kosovës thonë se pozita e Komisionerit për Privatësi dhe Informim është pozitë e lartë shtetërore që kërkon profesionalizëm dhe transparencë.
“Është një pozitë shumë e rëndësishme shtetërore që kërkon profesionalizëm dhe transparencë nga Kuvendi. Në këtë pozitë duhet të zgjidhet më i miri dhe jo ai që përfaqëson parti politike por vetëm atë që e kërkon ligji. Monitoruesit nga shoqëria civile kanë vërejtur disa shkarje te kandidati që është rekomanduar për t’u zgjedhur në këtë pozitë”, deklaroi Florent Spahija nga KDI.
Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke pasur status të pavarur, ka përgjegjësinë ligjore për mbikëqyrjen e zbatimit të rregullave për mbrojtjen e të dhënave personale./Telegrafi/