Telegrafi

Oficerët kufitar të BE-së patrullojnë kufirin Greqi-Maqedoni

Zyrtarët e agjencisë së BE-së për kufijtë – Frontex, kanë filluar patrullimet në kufirin në mes të Greqisë dhe Maqedonisë për të ndaluar kalimet ilegale të kufirit nga migrantët, ka njoftuar Frontex më 3 shkurt, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Deri tani, nëntë oficerë të Frontexit kanë ndihmuar agjencinë kufitare të Greqisë, ndërsa më shumë pritet t’iu bashkohen atyre gjatë javëve në vijim. Operacioni planifikohet të zgjasë një vit.

Vitin e kaluar, kufiri në mes të këtyre dy shteteve është shfrytëzuar nga banda kontrabanduese për të kaluar migrantët në Maqedoni nga Greqia, të cilët më pas do të vazhdonin rrugëtimin drejt Evropës.

Por trafiku klandestin është zbutur shumë prejse disa vende ballkanike kanë mbyllur kufijtë e tyre si rezultat të një marrëveshjeje në mes të Bashkimit Evropian dhe Turqisë, për të kufizuar numrin e migrantëve./Telegrafi/