Pozitë e opozitë sot kanë debatuar në Kuvendin e Kosovës, gjersa një përplasje verbale ishte ndërmjet deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu Shoshi dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Musliu-Shoshi në seancën e Kuvendit të Kosovës duke iu drejtuar zëvendëskryeministrit Bislimi tha se injoranca, ofendimet e gënjeshtrat janë argumentet më të fuqishme të tij, prandaj ka vendosur përmes një video-incizimi ta ballafaqon me veten.
Deputetja Musliu lëshoi një video incizim ku Bislimi dëgjohet duke thënë “në atë moment që Qeveria e Kosovës e ndryshon qëndrimin për asociacionin edhe do krijohet asociacion qoftë edh me kompetenca jo-ekzekutive, Besnik Bislimi nuk është më në dialog…”
E pas këtij video-incizimi, siç njofton Telegrafi, reagoi zëvendëskryeministri i cili është edhe kryenegociator në dialogun me Serbinë.
“… e nderuara deputetet faleminderit për kujdesin maksimal që t’i përcillni çdo detaj të intervistave të mia në vazhdimësi… po ashtu është i pakuptimtë epshi juaj për të marr vëmendje publike, por është e perëndishme”, tha ai.
Më tej zëvendëskryeministri theksoi se në dëgjoj krejt intervistën, e jo vetëm fjalinë, raporton Telegrafi.
“Në të njëjtën intervistë thuhet si vijon…’për çështjen e minoriteteve do të diskutojmë atëherë kur sovraniteti, integriteti territorial i Kosovës dhe funksionaliteti i Kosovës nuk është në pikëpyetje”, iu kundërpërgjigj Bislimi.
Pas deklaratës së Bislimit, sërish reagoi Shoshi e cila theksoi se “thash që ofendimet i ke argumentet më të forta por me mua nuk të shkojnë….”.
Ajo sërish lëshoi një video-incizim, por që kësaj radhe ishte i Kurtit.
“Përgjigjen ta jep luani yt, ose kryeministrit yt”, tha jo, gjersa në sfond dëgjohej fjalia e Kurtit në video-incizim “Ka asociacion…neni 10 thotë se të dyja palët e konfirmojnë obligimin e të për të zbatuar marrëveshjet e kaluara…”
Deputetja Shoshi pas kësaj kërkoi dorëheqjen e Bislimit, pasi siç tha ajo nuk ka më kredibilitet që të jetë kryenegociator. /Telegrafi/