Telegrafi

OEK-ja ashpër Qeverisë pasi ndaloi qarkullimin e automjeteve të transportit të mallrave me peshë mbi 7.5 tonë

Oda Ekonomike e Kosovës si përfaqësuese e komunitetit të biznesit, ka pranuar me shqetësim vendimin e fundit për ndalimin e qarkullimit të automjeteve të transportit të mallrave me peshë mbi 7.5 tonë, i cili ka hyrë në fuqi nga data 14 korrik 2024.

“Ndërkohë që e kuptojmë nevojën për ruajtjen e infrastrukturës rrugore gjatë periudhave të temperaturave të larta, ky vendim ka ndikim të drejtpërdrejtë dhe shumë të rëndë mbi operimin e rregullt të kompanive dhe aktiviteteve ekonomike brenda dhe jashtë vendit tonë”.

Sipas OEK, duke pasur parasysh se shumica absolute e lëndës së parë importohet në vendin tonë, atëherë si pasojë e këtij vendimi kompanitë prodhuese vendore do të kenë sfidë kryesore sigurimin e lëndës së parë nga vendet tjera.

Për më tepër, kompanitë prodhuese kanë drojë se mund të humbasin tregjet e jashtme të fituara me shumë mund, për shkak të kufizimeve të eksportit, veçanërisht për produktet sezonale vendore që mund të eksportohen vetëm në këtë periudhë.

Kompanitë tregtare dhe ato transportuese po përballen me çrregullime në zinxhirin e furnizimit, të cilat do të shkaktojnë rritje të shpenzimeve për kompanitë vendore dhe si rezultat nuk do të jenë në gjendje t’i përballojnë këto kosto.

“Duke konstatuar se asnjë vend i rajonit nuk ka vendosur kufizime të tilla, nuk e shohim të arsyshme që vetëm Kosova të vendosë një kufizim të tillë, sidomos duke e ditur se rrugët tona janë ndërtuar me cilësi shumë më të lartë se ato të vendeve të rajonit”, thuhet në njoftim.

Oda Ekonomike ka kërkuar nga Qeveria të shqyrtojë edhe një herë këtë masë të ndalimit, për të mos dëmtuar biznesin dhe për të mos humbur tregjet e jashtme, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e eksportit të vendit tonë./Telegrafi/