Kryetari i Bordit të Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK), Ilir Aliu me drejtoreshën menaxhuese të OEGJK-së, Nora Hasani, kishin sot një takim virtual me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.
Takimi kishte karakter konsultativ dhe informues për masat e reja për menaxhimin e situatës me pandeminë Covid 19.
Sipas komunikatës së OEGJL, përfaqësuesit e këësaj Ode e informuan kryeministrin lidhur me vështirësitë dhe brengat e kompanive anëtare të Odës, por edhe rreth aktiviteteve gjatë pandemisë, duke përfshirë këtu dhe takimet e suksesshme B2B të kompanive gjermane me ato kosovare që u mbajtën në formë virtuale gjatë muajit shtator, në kuadër të Western Balkan Purchasing Initiative.
Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare si organizatë biznesi që përfaqëson interesat e komunitetit të biznesit gjerman në Kosovë dhe që ka për mision intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe ekonomike ndërmjet Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Kosovës, ofron bashkëpunim të plotë konsultativ për Qeverinë për masat e mëtejshme. /Telegrafi/