Telegrafi

OEAK: Qeveria e nxori në rend të dytë luftën kundër korrupsionit

Oda Ekonomike Amerika në Kosovë (OEAK), ka reaguar kundër institucioneve të vendit, përkatësisht Qeverisë së Kosovës, e cila sipas tyre nuk u morr fare me dukurinë e luftimit të korrupsionit.

Përmes një komunikate për media, ky institucion thotë se OEAK, ka kërkuar më herët edhe publikisht në dhjetor të vitit 2014 që Qeveria e re të vendos luftimin e korrupsionit në krye të agjendës qeveritare. Por, fatkeqësisht gjatë periudhës së kaluar, agjenda politike ka lënë në rend të dytë prioritetet e tjera të rëndësishme, përfshirë edhe luftën kundër korrupsionit.

Efektet e këtij fenomeni në jetën ekonomike, shoqërore dhe politike sipas OEAK-ut, nuk duhet të nënvlerësohen dhe marrja e masave adekuate është e një rëndësie vitale për procesin e shtet ndërtimit në Kosovë.

“Përkundër përmirësimit të renditjes së Kosovës në raportin e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit 2015, të Transparency International, ku Kosova rangohet në vendin e 103 (nga gjithsej 168 shtete) krahasuar me vitin e kaluar kur është ranguar në vendin e 110 (nga gjithsej 175 shtete), Oda Amerikane beson se nuk ka hapësirë për vetëkënaqësi, duke e pasur parasysh se vlerësimi këtë vit është bërë brenda një numri më të vogël shtetesh”, thuhet në komunikatën e Odës Ekonomike Amerikane.

Në nivel global, sipas OEAK, Kosova ende i përket grupit të shteteve me prani të lartë të korrupsionit, gjë që jo vetëm dëmton imazhin e Kosovës, por edhe zbeh potencialet e vendit për tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

Ashtu si ceket edhe në raportet e Komisionit Evropian, lufta kundër korrupsionit ka qenë pengesa kryesore e Kosovës drejt proceseve integruese, veçanërisht në aspekt të liberalizimit të vizave dhe integrimit evropian.

“Përkundër përmirësimit të rangimit të Kosovës në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, shoqërisë kosovare i mbetet ende shumë punë për të bërë në eliminimin e korrupsionit. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet mekanizmave të drejtësisë dhe përmirësimit të zbatimit të ligjit. Një gjyqësor efikas, i pavarur dhe i përgjegjshëm, do të ishte i rëndësishëm në aspekt të uljes së rrezikut të investimeve dhe përmirësimit të zbatueshmërisë së kontratave, dhe rrjedhimisht do të dërgonte një sinjal tejet të rëndësishëm tek investitorët e huaj potencial”, thuhet më tutje në komunikatë.

Oda Ekonomike Amerikane mirëpret zbatimin e prokurimit elektronik, si një hap i rëndësishëm në drejtim të zgjidhjes së sfidave në proceset e prokurimit publik, ku perceptimi për prani të korrupsionit është i lartë.

“Është më se evidente se vetëm platforma elektronike nuk do të mundësojë zhdukjen e plotë të korrupsionit nga aktivitetet e prokurimit, megjithatë do të ndihmojë në aspekt të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies. Ekzistimi i organeve të fuqishme, të pavarura dhe profesionale në strukturën institucionale të prokurimit publik, do t’i mundësonte vendit të maksimizojë përfitimet e mundshme nga prokurimi elektronik. Në këtë aspekt është i nevojshëm edhe fuqizimi i mekanizmave për raportimin e korrupsionit”, thuhet në këtë komunikatë.

Oda Ekonomike Amerikane kërkon nga qeveria dhe institucionet e drejtësisë që të ushtrojnë funksionet e tyre në luftën kundër korrupsionit, duke siguruar zbatim të drejtë dhe efikas të legjislacionit, duke theksuar se është momenti i fundit kur lufta kundër korrupsionit duhet të jetë në krye të agjendës qeverisëse në vend. /Telegrafi/