Telegrafi

OEAK: MSA ka ndikuar krijimin e një klime më të favorshme të të bërit biznes në Kosovë

Tregtia e lirë me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, e mundësuar përmes Marrëveshjes së Stabilim-Asociimit (MSA), ka rezultuar në një klimë më të favorshme të të bërit biznes në përgjithësi dhe ka ekspozuar Kosovën në një treg të madh. Kështu thanë anëtarët e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) gjatë takimit me Nataliya Apostolova, shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Po ashtu, anëtarët e OEAK-ut diskutuan rreth vështirësive në gjetjen e partnerëve potencial në biznes, përmirësimin e shkathtësive në punë, dhe zhvillimin e ideve inovative të biznesit.

Ambasadorja Apostolova njoftoi të pranishmit me prioritetet e Zyrës së BE-së në Kosovë, duke theksuar Agjendën për Reforma Evropiane, sundimin efektiv të ligjit, reformat në administratën publike, si dhe investimet në sektorin e arsimit si kyç në zhvillimin ekonomik të vendit.

Ajo falënderoi Odën në dhënien e rekomandimeve për Raportin Vjetor të Komisionit Evropian, po ashtu ajo mirëpriti vazhdimin e bashkëpunimit me sektorin privat në Kosovë.

Presidenti i Bordit të Guvernatorëve të Odës, Ilir Ibrahimi, tha se OEAK ka ngritur shumë çështje sa i përket sektorit privat në Kosovë, duke ftuar zyrën e BE-së për zhvillim të bashkëpunimit mes institucioneve të bizneseve duke arritur rritje ekonomike më të qëndrueshme në Kosovë.

Drejtori ekzekutiv i OEAK-ut, Arian Zeka, duke përmendur prioritet e Odës në avokimin për çështje ekonomike, tha se Oda Ekonomike Amerikane mirëpret takimet për të rritur bashkëpunimin mes sektorit privat dhe Zyrës së BE-së në Kosovë pasi që kjo është esenciale për zhvillimin e bizneseve në Kosovë. /Telegrafi/