Telegrafi

OEAK: Marrëveshja Kolektive nuk është ligjërisht e plotfuqishme

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) përsërit qëndrimin e saj publik se Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e nënshkruar në vitin 2014 nuk është e mbështetur në legjislacionin aktual të punës dhe si e tillë nuk ka fuqi ligjore dhe nuk mund të jetë e aplikueshme nga ndërmarrjet në Kosovë.

“Ligji i Punës Nr.03/L-212, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2010, i cili ka për qëllim krijimin e një baze ligjore funksionale, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për marrëdhënien e punës, përmban edhe dispozita përkatëse në të cilat ceket marrëveshja kolektive, duke mos imponuar detyrime ligjore për zbatimin e saj nga ana e ndërmarrjeve që operojnë në Kosovë. Neni 90, pika 5 e Ligjit të Punës e thotë qartazi, që Marrëveshja Kolektive vlen për ata punëdhënës dhe punëmarrës të cilët marrin përsipër detyrimet e përcaktuara me Marrëveshjen e tillë Kolektive, duke e bërë të qartë që diskrecioni për zbatimin ose jo të një marrëveshje të tillë është çështje e vullnetit të lirë të punëdhënësve dhe punëmarrësve”, thuhet në reagimin e OEAK-së.

Po ashtu, Neni 4 i Ligjit të Punës, parasheh që Dispozitat e Kontratës Kolektive, Aktit të Brendshëm të Punëdhënësit dhe Kontratës së Punës duhet të jenë në përputhje me dispozitat e këtij ligji, derisa në situatën momentale, obligimi për zbatimin e kontratës kolektive, nuk buron si detyrim ligjor.

Oda Amerikane po ashtu rikonfirmon qëndrimin e saj se asnjë organizatë, ose palë nënshkruese e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, nuk mund të hyjë në marrëveshje detyrimore me efekte juridike për palët e treta, pa marrë aprovimin paraprak të tyre. “Në këtë kontekst, Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e nënshkruar në vitin 2014 nuk duhet të jetë bazë e përndjekjes ose e ndëshkimit të kompanive të sektorit privat, të cilat nuk kanë dhënë miratimin e tyre për një marrëveshje të tillë”.

Për të shmangur çfarëdo paqartësie ose interpretime kontradiktore, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale që të dalë me opinion zyrtar dhe të sqarojë bazën ligjore të marrëveshjes së përgjithshme kolektive, duke qenë institucion përgjegjës për mbikëqyrjen dhe interpretimin e dispozitave të Ligjit të Punës. /Telegrafi/