Telegrafi

Odat ekonomike mirëpresin vendimin për themelimin e Bordit të Ankesave

Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mirëpresin vendimin e ministrit të Financave, Bedri Hamza për të shtyrë përpara krijimin e Bordit të Pavarur të Rishqyrtimeve, organ ky i cili do të trajtojë ankesat e sektorit privat kundër Administratës Tatimore dhe Doganës.

Sipas njoftimit të përbashkët nga këto dy oda, ky vendim përbënë reformën më të madhe fiskale në vend.

“Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Amerikane për vite me radhë kanë kërkuar këtë të drejtë ligjore të garantuar edhe me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative për dyshkallshmëri në procedurë administrative, që nënkupton të pasurit e një instancë tjetër të ankimimit pas mekanizmit ankimues në institucionin tatimbledhës, para se të vazhdohet në procedura gjyqësore. Duke pasur parasysh qe praktika të ngjashme të trajtimit të kontesteve të natyrës fiskale ekzistojnë edhe në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, të dy odat ekonomike kanë përsëritur disa here qëndrimin e tyre se praktikat e tilla të trajtimit të kontesteve të natyrës fiskale do të duheshin aplikuar edhe në Kosovë. Ky vendim i ministrit Hamza së bashku me masat e reja fiskale të jetësuara këtë vit dhe vitin e ardhshëm, përbëjnë pa dyshim reformën më të madhe fiskale të ndërmarrë në Kosovë dhe janë rezultat i dialogut konstruktiv ndërmjet përfaqësuesve të sektorit privat dhe kësaj ministrie”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.

Të mërkurën, Ministria e Financave e ka themeluar Bordin e Ankesave dhe sipas tyre kjo ka qenë kërkesë e kahershme e komunitetit të biznesit, për gjetur një zgjidhje të ankesave të biznesit në afat sa më të shkurtër dhe jo siç ka qenë deri më tani që janë detyruar që të presin me vite nëpër gjykata për zgjidhjen e ankesave të tyre. /Telegrafi/