Site icon Telegrafi

Odat ekonomike kërkojnë ndryshime në Projektligjin për Tregti me Jashtë

Foto: Ilustrim

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka mbajtur dëgjim publik lidhur me Projektligjin për Tregti me Jashtë, ku u kërkua që Ligji për Masat e Mbrojtjes në Importe të inkorporohet në këtë Projektligj, si dhe të saktësohet neni 23 në mënyrë që të evitohen dykuptimësitë.

Koordinatorja e Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Qëndresa Ibrahimi tha se me Ligjin për Tregti me Jashtë duhet të përcaktohen masat kundër importit të subvencionuar dhe se në kuadër të këtij Ligji duhet të inkorporohet edhe Ligji për Masat e Mbrojtjes në Importe. Derisa argumentoi arsyet se pse duhet të ndodhë kjo.

“OAK rekomandon që Ligji për Masat e Mbrojtjes në Importe të inkorporohet komplet në Projektligjin për Tregti me Jashtë, ashtu siç e kanë të rregulluar edhe vendet e rajonit. Arsyetimi është ky Ligj do të shqyrtohet edhe nga investitor të huaj, të cilët nuk kanë njohuri për komplet legjislacionin e vendit, andaj është shumë e nevojshme të ketë përmbledhje të të gjitha çështjeve që rregullojnë importin, eksportin dhe kalimin transit të mallrave nëpërmjet Republikës së Kosovës në një ligj të vetëm”, tha ajo.

Lidhur me këtë, Zef Deaj nga MINT, tha se Ligji parasheh edhe masën mbrojtëse në importe por edhe atë për importin e subvencionuar.

“Neni 32 i këtij Ligji parasheh masat mbrojtëse në importe, ku njëkohësisht ne e kemi edhe ligjin e ndarë për masat mbrojtëse në importe, i cili është aplikuar dhe vazhdon të aplikohet”, tha ai.

Andrra Nurkollari nga Oda Ekonomike Amerikane, tha se kundërshtojnë nenin 23 të Projektligjit nga që vlerësojnë se i njëjti është në kundërshtim me parimet e ekonomisë së tregut, pasi pengon qarkullimin e lirë të mallrave.

“Pas një analize të Projektligjit, oda ka kundërshtim me marrjen e lejes së importit dhe eksportit, konsiderojmë se pengon qarkullimin e mallrave”, u shpreh ajo.

Edhe Emrush Ujkani nga Këshilli i Investitorëve Evropian, tha se disa ndryshime duhet të bëhen te neni 23.

“Ajo që na gëzon janë tri aspekte. Ky Ligj është në tërësinë e vet i harmonizuar me Organizatën Botërore Tregtare, e mbron tregun dhe parimet janë të inkorporuara në Ligjin dhe nga perspektiva, këto janë të arritura. Ato që i kemi si komente do t’i ndajmë me administratën e Kuvendit, është fjala për nenin 23”, tha ai.

Lumnije Hashani nga Oda Ekonomike e Kosovës, tha se ky projektligj është në përputhje me MSA-në dhe tregtinë e jashtme.

“Ne si komitet i biznesit, kërkojmë që ky ligj të miratohet sepse i ndihmon bizneset në të bërit biznes”, tha ajo.

Përkrahje për këtë Projektligj dha edhe Oda Ekonomike Gjermane e Kosovës.

Ndërkaq, deputeti Pal Lekaj tha se nga praktikat e mëparshme, është vërejtur se ka keqpërdorime, prandaj, siç tha ai neni 23 duhet të saktësohet në mënyrë që të evitohen dykuptimësitë. /KP/

Exit mobile version