Site icon Telegrafi

Oda Ekonomike pret të anëtarësohet më 15 tetor në Eurochambres

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) pret një lajm të mirë më 15 tetor, kur në Luksemburg mbahet mbledhja e Asociacionit të Odave Ekonomike Evropiane (Eurochambres). Oda Kosovare beson se i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe se do të bëhet pjesë e këtij asociacioni.

Lajmi u bë i ditur gjatë një vizite që zhvilloi të shtunën në Kosovë, Rifat Hisarcıklıoğlu, kryetar i Unionit të Odave të Turke, dhe zëvendës-president i Eurochambres.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, në një konferencë me medie, e ka quajtur Hisarcıklıoğlun një mbështetës të madh të Kosovës, i cili sipas tij, ka lobuar që Kosova të bëhet pjesë e Eurochambres, transmeton eo.

“Është një ambasador i vërtetë i ekonomisë së Kosovës dhe komunitetit të biznesit kosovar kudo që shkon në botë”, tha Gërxhaliu.

Kreu i OEK-ut tha se Hisarcıklıoğlu, i cili e përfaqëson Turqinë edhe në Odën Ekonomike Islamike dhe në Bankën Botërore, vjen për herë të parë në Kosovë dhe u shpreh i nderuar që e viziton Odën Ekonomike dhe takon bizneset kosovare.

Hisarcıklıoğlu do të raportojë më 15 tetor në Luksemburg për Odën Ekonomike të Kosovës. Ai tha se Bordi Drejtues i Eurochambres tashmë e ka shtruar çështjen e anëtarësimit të Kosovës.

“Besoj se më 15 dhe 16 tetor do të kemi një lajm të mirë për Kosovën”, tha Gërxhaliu.

Exit mobile version