Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut sot në konferencë për shtyp do të trajtojë problemin e çmimit të energjisë elektrike nga e cila varet mbijetesa e kompanive dhe vendeve të punës.
Në konferencën për shtyp, siç është paralajmëruar fjalim do të mbajë nënkryetari i Odës, Zoran Jovanovski.
Në takimin që u mbajt në korrik mes Asociacionit energjetik të Maqedonisë së Veriut dhe përfaqësuesve të Qeverisë u kërkua që të rritet prodhimi vendor i energjisë elektrike me përfshirjen e TEC Negotinë dhe termocentralit të gazit TE-TO, energjisë elektrike të prodhuar nga prodhuesit e energjisë ose të ashtuquajturës energji e gjelbër për nevojat e kapaciteteve industriale që furnizojnë energji elektrike në tregun e lirë si dhe të lehtësohet procedura e vendosjes së fotovoltaikëve për kapacitetet industriale.
Edhe kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azeski në kolumnën e tij të fundit vlerëson se lidhshmëria e krizës energjetike, financiare dhe shëndetësore pashmangshmërisht kërkon një agjendë unike shtetërore.
“Java ‘D’ është para nesh, ne jemi gati për bisedime me nivelin e duhur të mobilizimit dhe argumenteve, por edhe vlerësimeve të realitetit momental që janë mbi parashikimet më pesimiste (512 euro për megavat orë çmim në bursën HUPEX 20.08.2022)”, shkruan Azeski mes tjerash në kolumnën e tij.