Site icon Telegrafi

Oda Ekonomike Amerikane themelon Komitetin e gastronomisë dhe turizmit

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë themeloi Komitetin e gastronomisë dhe turizmit me qëllim të adresimit të nevojave të këtyre sektorëve si në periudhën afatshkurtër, pra për fazën e rimëkëmbjes ekonomike pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, ashtu edhe në atë afatgjatë.

Anëtarët e Komitetit zgjodhën kryesuesin e tyre, Erëmal Bajrami nga kompania KFC, i cili tha se është i gatshëm të udhëheq komitetin dhe të kontribuojë maksimalisht në mënyrë që ky komitet të realizoj objektivat e tij dhe të tejkaloj sa më shpejtë krizën ekonomike të shkaktuar nga COVID-19.

“Përmes këtij Komiteti do të harmonizohen kërkesat dhe qëndrimet konkrete të bizneseve anëtare të industrive përkatëse, të cilat synojnë të lehtësojnë ambientin e të bërit biznes në periudhën afatgjatë, disa prej të cilave përfshijnë uljen e TVSH-së për sektorin e gastronomisë, avokimin për themelimin e agjencive licencuese, si dhe përmirësimin e imazhit të Kosovës sa i përket turizmit, mes të tjerash”, thuhet në njoftim.

Sipas OEAK-ut, Komiteti i gastronomisë dhe turizmit do të shërbej si katalizator për gjenerimin e rekomandimeve konkrete tek institucionet qeveritare dhe të gjithë hisedarët tjerë.

Anëtarët e këtij Komiteti u pajtuan që të vazhdojnë takimet e rregullta në mënyrë që sa më shpejtë të shtyjnë përpara kërkesat e tyre për të lehtësuar ballafaqimin me pandeminë COVID-19. /Telegrafi/

Exit mobile version