Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) mirëpret vlerësimin e shtetit të Kosovës për Programin Kompakt nga ana e Korporatës së Sfidave të Mileniumit (MCC).
Ngritja e statusit të Kosovës në këtë program do t’i mundësojë vendit dhjetëra miliona dollarë amerikanë shtesë krahasuar me programin paraprak, të cilat do të mund të investohen në projekte që kanë për synim fuqizimin e sektorit privat në Kosovë, përmes adresimit të çështjeve të cilat pengojnë rritjen ekonomike të vendit, si përmirësimi i furnizimit me energji elektrike, si dhe sundimi i dobët i ligjit.
“Oda Amerikane e vlerëson të një rëndësie të madhe përkrahjen financiare të Korporatës së Sfidave të Mileniumit për zhvillimin e kapaciteteve të reja të gjenerimit të energjisë elektrike, inkurajimin e efiçencës energjetike, por edhe përmirësimin e vendimmarrjes, transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve shtetërore përmes rritjes së qasjes në të dhënat publike. Oda Amerikane vlerëson se një vendim i tillë i Bordit të Drejtorëve të MCC vjen si rezultat i angazhimit të shoqërisë kosovare për adresimin e sfidave me të cilat përballet vendi, por mbi të gjitha si rezultat i punës që bënë ekipi i MCC në Kosovë si dhe Fondacioni i Mileniumit në Kosovë (MFK)”, thuhet në njoftimin e OEAK-ut, përcjell Telegrafi.
Në fund, Oda Ekonomike Amerikane rikujton se programet e MCC, USAID dhe të Qeverisë Amerikane në përgjithësi, në mbështetje të shtetit të Kosovës, janë dëshmi e përkushtimit të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për popullin e Kosovës. /Telegrafi/