Site icon Telegrafi

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mirëpret nënshkrimin e marrëveshjes për normalizim ekonomik

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka mirëpritur nënshkrimin e marrëveshjes për normalizim ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila do të krijojë mundësi për fuqizimin e sektorit privat dhe hapjen e potencialit të të dyja vendeve për rritje të përshpejtuar ekonomike.

“Normalizimi i marrëdhënieve ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë i hap rrugë vendit për zhvillim të mëtutjeshëm, duke ofruar mundësi të reja për rritjen e shkëmbimit të mallrave, tërheqjen e investimeve të huaja direkte, si dhe integrimin e plotë ekonomik në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në komunikatën e OEAK.

Sipas kësaj ode, adresimi i çështjeve ekonomike do të ndihmojë të dyja shtetet në aspektin e rritjes ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës, ndërsa investimet në infrastrukturën hekurudhore dhe rrugore si dhe operacionalizimi i vendkalimit të integruar kufitar do të lehtësojnë lëvizjen e njerëzve dhe mallrave.

Oda Ekonomike Amerikane rithekson se fuqizimi i marrëdhënieve ekonomike të Kosovës me shtetet fqinje kontribuon në përmirësimin e imazhit të vendit, ndërsa përshëndet marrëveshjen e sotme si një hap shumë i rëndësishëm drejt avancimit shumë të nevojshëm ekonomik të vendit. /Telegrafi/

Exit mobile version