Telegrafi

Oda e Infermierëve: Nëse personat e përfshirë janë anëtarë të OIK-së, do të veprohet konform legjislacionit në fuqi

Foto: Ilustrim

Oda e Infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë është shprehur tejet e shqetësuar me pamjet e publikuara në një shtëpi për të moshuar në Pejë, ku shihet një e moshuar teksa sulmohet fizikisht nga pjesëtaret e stafit.

Sjellje të tilla janë të papranueshme ka thënë OIK, duke shtuar se janë në verifikim të informacioneve nëse bëhet fjalë për ndonjë anëtare të saj apo “siç ndodhë shpesh, institucionet angazhojnë persona të pa kualifikuar e që me sjelljet e tyre ndikojnë direkt në imazhin e komunitetit shëndetësor”.

“Sjellje të tilla nuk u përkasin punonjësve shëndetësorë andaj OIK i dënon ashpër ato dhe sapo të marrë informacion më të detajuar dhe zyrtar dhe nëse rezulton se personi në fjalë është anëtare e OIK, do të veprohet konform legjislacionit në fuqi”, thuhet në reagimin e tyre.

Ndryshe, lidhur me rastin janë arrestuar dy të dyshuara, të cilat janё duke u intervistuar nga hetuesit e Stacionit Policor nё Pejё. /Telegrafi/