Site icon Telegrafi

Oda e Afarizmit i prezanton kryetares Osmani gjendjen e biznesit që po kalon gjatë pandemisë COVID-19

Vështirësitë e bizneseve si pasojë e pandemisë COVID-19, përfshirja e kërkesave të bizneseve në Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, krijimi i Komisionit Parlamentar, i cili do të trajtoj çdo ligj dhe të bëjë harmonizimin mes tyre në mënyrë që të njëjtat të mos bien në kundërshtim me njëra-tjetrën, kërkesat për ndryshim/plotësimin e disa ligjeve specifike, përkrahja nga ana e shtetit dhe ulja e normës së interesit nga BQK, ishin disa nga pikat kyçe të cilat Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) i diskutoi gjatë takimit me Kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Përgjatë këtij takimi, OAK thotë se i ka shprehur shqetësimin Osmani për gjendjen e rëndë të të bërit biznes, si rezultat i pandemisë COVID-19.

“Si rezultat i kësaj OAK bazuar në vizitat e vazhdueshme që po i bënë në teren dhe aktivitetet e saj i shpalosi kërkesat e bizneseve duke kërkuar nga Kryetarja, ashtu siç është duke kërkuar nga çdo institucion tjetër shtetëror, që të trajtohen me urgjencë këto kërkesa. OAK theksoi faktin se Ligji aktual për Rimëkëmbje Ekonomike nuk i zgjidhë problemet e bizneseve. Për këtë arsye OAK, ka dërguar edhe rekomandimet të cilat i kemi bërë në koordimin me sektorin e biznesit. Këto rekomandime i kemi dërguar disa herë me radhë në institucionet përkatëse si në Qeveri ashtu edhe tek deputetët, të cilat i kemi shpërndarë në mënyrë fizike, përmes postës elektronike, postës fizike e të cilat deri më tani nuk janë marrë në konsideratë”, thuhet në njoftimin e OAK-ut, përcjell Telegrafi.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani tha se secili ligj i cili bëhet duhet të jetë në pajtim me sektorin përkatës i cili do të ndikohet nga ligji në fjalë.

Në kuadër të këtij takimi u diskutuan edhe problemet e pagimit të TVSH-së për lëndën e parë kur ajo blihet brenda vendit dhe kërkimi i mëpastajmë për rimbursim, përderisa kur blihet jashtë vendit nuk paguan TVSH. Po ashtu u trajtua edhe problemet për pushimin e lehonisë me ҫ’rast bizneset po detyrohen të paguajnë dy paga për një vend pune e që një praktikë e tillë nuk është në asnjë vend të rajonit. /Telegrafi/

Exit mobile version