Mjaft sfida e presin qeverinë e re lidhur me problemet me të cilat përballen bizneset e vendit, probleme këto të cilat kanë shkaktuar ngecje të zhvillimit ekonomik në Kosovë. Nuk ka zhvillim ekonomik, ka mungesë të strategjisë të mirëfilltë të zhvillimit ekonomik, mungesë të ligjeve dhe konflikte në mes tyre.
Shteti nuk e mbron prodhimin vendor edhe pse vendi ka arrit disa marrëveshje me vendet e tjera. Ndërsa, eksporti i Kosovës në dhjetë vjet e fundit në krahasim me vendet e tjera është qesharak, shprehet kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi.
Oda e Afarizmit të Kosovës pas mbledhjes së Bordit, ka identifikuar barrierat kryesore të të bërit biznes, për të cilat kërkon zgjidhje nga qeveria e re. Po ashtu, OAK rekomandon qeverinë e ardhshme edhe për masat reciproke ndaj Serbisë dhe shteteve tjera që vendosin barriera ndaj Republikës së Kosovës.
Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi në një intervistë për KosovaPress, thotë se ashtu siç kanë deklaruar në vazhdimësi, në Kosovë nuk ka zhvillim ekonomik, ka mungesë të strategjisë të mirëfilltë të zhvillimit ekonomik, mungesë të ligjeve dhe konflikte në mes tyre. Pastaj, sipas Krasniqit, udhëzimet administrative janë në kundërshtim me ligjet, të cilat kanë bërë që Kosova ta ketë këtë gjendje të rëndë, ku nuk ka tërheqje të investimeve, rritje të investimeve, nuk ka rritje të punësimit dhe rritje të prodhimit vendor.
Krasniqi beson se në rast se Qeveria e ardhshme do t’i merr parasysh këto probleme, do t’i zgjidhë shumicën e pengesave të cilat janë të zgjidhshme e që do të mund të ketë rritje ekonomike dy shifrore që do të ndikojë në rritjen e buxhetit, rritjen e punësimit dhe prodhimit vendor.
“Kërkesat që i kemi dërguar të gjitha partive politike dhe janë të njëjtat kërkesa që do t’i adresohen qeverisë së ardhshme… Ne besojmë se në rast se Qeveria e ardhshme do t’i merr parasysh këto probleme dhe do t’i zgjidhë shumicën e problemeve që janë të zgjidhshme, do të mund të kemi jo vetëm 7 për qind, por edhe 17 përqind rritje ekonomike, në qoftë se qeveria e ardhshme punon ngushtë me Odën e Afarizmit, me bizneset dhe i zgjidhë ato probleme që janë të zgjidhshme, sepse nuk janë të pazgjidhshme. Problemi me TVSH-në, probleme me ligjin e investimeve strategjike, problemet me udhëzimet administrative, problemet me ligjin e punës, ligjin e lehonisë dhe problemet me kamata e të tjera, të cilat veç iu kemi dërguar partive politike. Pra, janë probleme të cilat mund të zgjidhën brenda një kohe shumë të shkurtër. Pastaj, me zgjidhjen e këtyre problemeve, do të kemi një rritje të jashtëzakonshme të zhvillimit ekonomik, prodhimit vendor që do të afektoj në rritjen e buxhetit dhe rritjen e punësimit”, deklaroi Krasniqi.
Po ashtu, ai ka kërkuar nga qeveria e ardhshme që Kosova të largohet nga CEFTA si UNMIK dhe të aplikojë si Republikë e Kosovës që t’i mundësojë pastaj vendit të merr masa mbrojtëse ndaj produkteve të ndryshme në raport me Serbinë, duke aplikuar reciprocitet të plotë me këtë shtet, por edhe me shtetet tjera, Bosnjën, sidomos ndaj atyre që nuk e njohin Kosovën.
Krasniqi deklaron se Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk e njohin dokumentacionin e Republikës së Kosovës dhe ndaj tyre duhet do të ketë reciprocitet të plotë.
“Çdoherë kemi kërkuar dhe tani kërkojmë që kjo masë të kthehet në reciprocitet, por para se të hiqet taksa duhet të krijohen masa reciprociteti dhe pastaj të hiqet taksa 100 përqind. Pra, të mos hiqet taksa pa krijuar masa reciprociteti, sepse në shumicën e produkteve nuk mund t’i eksportojmë në Serbi dhe nuk mund t’i kalojmë përmes Serbisë ngase nuk e njeh dokumentacionin… Ne kemi kërkuar edhe më herët dhe kërkojmë edhe nga Qeveria e ardhshme dhe kryeministri i ardhshëm që Kosova të largohet nga CEFTA, sepse kjo është një marrëveshje që e ka shkatërruar zhvillimin e vendit, prodhimin vendor, ekonominë e vendit. S’e është marrëveshja e vetme që është nënshkruar nga këto shtete e nga Kosova pa e mbrojtur asnjë produkt dhe ne jemi në CEFTA si UNMIK, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës qe 11 vjet”, thotë ai.
Edhe Maqedonia e Veriut është e njohur për marrjen e masave ndaj produkteve të Kosovës, siç ka ndodhur së fundmi me rasadin e peshkut. Për këtë Krasniqi pohon se Kosova është e hapur ndaj të gjitha vendeve për importim edhe pa plotësim të kushteve, ndërsa prodhimin vendor nuk e mbron dhe pse vendi ka arrit disa marrëveshje me vendet e tjera.
Ai vuri në pah se Kosova ka rritje të eksportit vetëm me Shqipërinë. Sipas tij, me Shqipërinë mund të zgjidhen problemet pa krijuar reciprocitet, por vetëm me një bashkëpunim më të ngushtë.
“Gjatë kësaj qeverie vetëm një barrierë është vendosur me Maqedoninë për rasatin e peshkut, e cila ka afektuar me heqjen e saj, por ndërkohë Maqedonia ka vendosur prapë kushte të tjera, barriera që ia ka pamundësuar eksportin e rasatit të peshkut në Maqedoni. Në qoftë se qeveria e ardhshme dëshiron që të kemi rritje ekonomike, duhet të komunikoj me biznese dhe të krijoj reciprocitet me të gjitha vendet pa marrë parasysh cili vend është… Ka mundësi të jashtëzakonshme që të krijon reciprocitet siç bëjnë vendet e tjera ndaj neve sepse vendet e tjera kur e shohin që po rritet eksporti i Kosovës ndaj atij shteti, krijon masa mbrojtëse edhe pse nuk është e lejuar me ligj dhe me marrëveshjen e MSA dhe CEFTA, janë larguar barrierat, por ata prapë e mbrojnë produktin vendor. Ndërkohë që Kosova nuk e bënë një gjë të tillë. Me Shqipërinë, ne qëndrojmë mirë, por më keq jemi me vendet të tjera. Ne kemi probleme me Serbinë, me Bosnjën, me Maqedoninë dhe me vendet e tjera, ndërkohë që me Shqipërinë kemi eksportin më të madh dhe ka rritje. Shqipëria nuk duhet të shihet vendi i parë për t’i bërë reciprocitet”, thekson Krasniqi.
Duke pasur parasysh gjendjen jo edhe aq të favorshme ekonomike-afariste, Oda e Afarizmit të Kosovës, ka bërë disa propozime për qeverinë e ardhshme të Kosovës: Kosova të largohet nga CEFTA si UNMIK dhe të aplikojë si Republikë e Kosovë, Ligji për Tregti të Brendshme, të krijohen oferta për biznesin, ndryshimi i Ligjit të Punës, Ligjit për Pushimin e Lehonisë, Ligjit për Miniera dhe Minerale. Po ashtu, ndër kërkesat tjera janë edhe ndryshimi i udhëzimeve administrative nga Ministria e Bujqësisë e cila afekton sidomos në sektorin e bujqësisë, blegtori, turizëm dhe sektorin e minierave dhe mineraleve, si dhe lirimi i plotë i lëndës së parë dhe pajisjeve për prodhim.
OAK po ashtu kërkon që të kthehet urgjent Gjykata Ekonomike dhe bordi i pavarur i ankesave, të largohet kamata prej 5 për qind për para të imëta prej bankave komerciale, të hiqet taksa e dyfishtë për bizneset e peshkut, të lobohet që Kosova të jetë anëtare e International Road Transport (TIR), pastaj, Ligji mbi TVSH, TVSH të paguhet në inkasim dhe jo në faturim.
Kërkesa tjera mbetet që Kosova të bëhet pjesë e Ata Carnet, mediat të përfshihen në ligjin për sponsorizim, të kompletohen të gjitha parqet industriale me infrastrukturë, si dhe të krijohet Ligji për odat e afarizmit, Ligji për Lobim, si dhe Kosova të krijojë disa produkte strategjike në bazë të traditës dhe kushteve, ashtu siç e kanë të gjitha vendet e botës. /KP/Telegrafi/