Site icon Telegrafi

Oda e Afarizmit kërkon përkrahje nga partitë politike në Kuvend për tejkalimin e krizës ekonomike

Mundësitë për përkrahje lidhur me problemet e bizneseve, finalizimi i pakos e rimëkëmbjes, ofrimi i përkrahjes në ndryshim plotësimin e ligjeve të cilat janë aktualisht në proces, krijimi i ofertave për investitorët, krijimi i arkës patriot, ofertat strategjike në bujqësi, mbrojtja dhe orientimi i bizneseve, ligji për investime strategjike, inicimi i sigurimeve shëndetësore dhe sigurimit në punë ishin disa nga çështjet që u ngritën në takimin e përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti me bashkëpunëtor.

Në kuadër të takimeve që OAK është duke realizuar me kryetarët e partive politike, në takimin me Kurtin u theksua rëndësia e bashkëpunimit reciprok për përkrahje në tejkalim të gjendjes së rëndë me të cilën janë duke u ballafaquar bizneset si rezultat i pandemisë.

Gjatë këtij takimi, OAK theksoi emergjencën e finalizimit sa më parë të pakos së rimëkëmbjes në mënyrë që bizneset të kenë mundësi që të mbijetojnë, mbajnë në punë punëtorët dhe sigurimin e kapitalit për ruajtje të likuiditetit. Theks i veçantë iu kushtua rëndësisë së finalizimit sa më parë të Ligjit të Punës dhe Pushimit të Lehonisë duke u cilësuar dy nga ligjet esenciale të zhvillimit të vendit, si rezultat i të cilëve kemi një numër shumë të ulët të të punësuarve, largimin e fuqisë punëtore në vendet e BE-së për një jetë dhe mirëqenie më të mirë. Gjithashtu Ligji për Tregti të Brendshme është më se i nevojshëm duke rregulluar tregun në bazë të nevojave dhe analizave dhe njëkohësisht duke mbrojtur dhe orientuar bizneset u tha nga përfaqësuesit e OAK-së.

Hamdi Malushaj anëtar i bordit në OAK theksoi rëndësinë e aftësimit profesional, respektimin e kontratave të punës, afatet e paralajmërimeve dhe rëndësinë e ndarjes së qartë të të drejtave dhe detyrimeve mes punëtorëve dhe punëdhënësve.

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti është shprehur i hapur për bashkëpunim në ndryshimin e praktikave dhe qasjes ndaj bizneseve. Kurti veçoi rëndësinë e diagnostikimit të problemeve ekonomike dhe premtoi përkrahje për ligjet në kuvend në plotësim ndryshimin e tyre në mënyrë që ato të jenë të aplikueshme dhe përshtatshme për rrethanat në të cilat operojmë. /Telegrafi/

Exit mobile version