Site icon Telegrafi

Oda e Afarizmit kërkon krijimin urgjent të Gjykatës Ekonomike

Mungesa e Gjykatës Ekonomike dhe problemet me përmbaruesit ishin ndër temat kryesore të diskutimit ndërmjet përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi shprehu bindjen që së bashku me ministren Haxhiu mund të ndikojmë në përmirësim të klimës së të bërit biznes në vend.

Krasniqi theksoi që një nga problemet kryesore me të cilat bizneset po përballen është mungesa e Gjykatës Ekonomike, e cila po ndikon që lëndët të zvarriten dhe po pengon ardhjen e investitorëve të huaj, prandaj OAK konsideron që aktivizimi i saj është i domosdoshëm.

Anëtari i bordit Hysni Zogaj theksoi mungesën e gjyqtarëve të specializuar, ndërsa anëtari i bordit Diamant Elshani u fokusua tek rritja e efikasitetit të përmbaruesve.

Përfaqësuesi i biznesit anëtare Kosmonte Foods, Edon Bibaj veçoi vonesat në trajtim të lëndëve dhe kërkoi që të bëhet përshpejtimi i procedurave.

Ministrja Haxhiu shtoi që themelimi i Gjykatës Ekonomike është kompetencë e Ministrisë së Drejtësisë dhe kjo do të trajtohet me prioritet.

Në fund të këtij takimi palët mbetën të bashkëpunojnë në favor të trajtimit të sfidave të bizneseve. /Telegrafi/

Exit mobile version