Site icon Telegrafi

OBT zyrtarisht autorizon SHBA-në që t’i vendos tarifa tregtare BE-së

Organizata Botërore e Tregtisë autorizoi në mënyrë zyrtare Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të vendosin tarifa deri në 7.5 miliardë dollarë mallra evropianë të importit, prej subvencionimit të avionëve Airbus nga qeveritë e Bashkimit Evropian.

Organi i zgjidhjes së kësaj çështjeje i OBT-së, i përbërë nga përfaqësues nga 164 vende anëtare, i dha mundësinë Washingtonit që të kundërpërgjigjet ndaj Bashkimit Evropian dhe shteteve që prodhojnë Airbus si Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Spanja.

E drejta e SHBA-së për të vendosur tarifa mund të ishte mohuar vetëm nëse të gjithë vendet anëtare do votonin kundra.

Ambasadori tregtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Dennis Shea, tha se Washingtoni preferon ende që të negociojë një marrëveshje.

Lexo po ashtu SHBA vendos tarifa tregtare në vlerën 7.5 miliardë dollarë të mallrave evropiane

“Kjo mund të ndodhë vetëm nëse BE përfundon subvencionet ndaj Airbus”, tha Shea, përcjell Scan.

Organizata zbuloi se Airbus dhe rivali amerikan Boeing, kanë marrë miliarda dollarë subvencione të jashtëligjshme, sipas padive që kanë zgjatur për 15 vite.

Vendimi për rastin e Boeing në SHBA, pritet të ndodhë në fillim të vitit 2020. SHBA-ja ka deklaruar se do vendosin 10 për qind tarifa ndaj avionëve Airbus dhe 25 për qind ndaj një liste të gjatë të produkteve, përfshirë verën franceze, uiskin skocez dhe djathin në të gjithë kontinentin. /Telegrafi/

Exit mobile version