Telegrafi

OBSH: Spitali më i madh në Gaza është kthyer në një zonë vdekje

Spitali më i madh i Gazës është bërë një zonë vdekjeje, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke njoftuar planet për të evakuuar personelin dhe civilet në objekt, pasi ushtria izraelite tha se po zgjeron operacionet për të shkatërruar Hamasin.

Vlerësimi pasoi një vizitë të OBSH-së dhe zyrtarëve të tjerë të OKB-së në spital, i cili u sulmua nga trupat izraelite në fillim të kësaj jave, transmeton Telegrafi.

Diku tjetër, një zyrtar shëndetësor i Hamasit tha se më shumë se 80 njerëz u vranë të shtunën në dy sulme në një kamp refugjatësh në veri të Gazës, duke përfshirë një shkollë të OKB-së, strehimore për njerëzit e zhvendosur.

Pamjet e mediave sociale, të verifikuara nga AFP, treguan trupa të mbuluar me gjak dhe pluhur në dyshemenë e një ndërtese, ku dyshekët ishin bllokuar nën tavolinat e shkollës në Jabalia, kampi më i madh i refugjatëve në territorin palestinez.

Lexo po ashtu Shtëpia e Bardhë: Nuk ka ende marrëveshje mes Izraelit dhe Hamasit

Philippe Lazzarini, kreu i agjencisë palestineze të OKB-së për refugjatët UNRWA, i përshkroi këto si imazhe të tmerrshme, ndërsa Egjipti e quajti bombardimin një krim lufte dhe një fyerje të qëllimshme për Kombet e Bashkuara (OKB).

Në një sulm të veçantë të shtunën në një ndërtesë tjetër në kampin Jabalia, 32 persona nga e njëjta familje u vranë, duke përfshirë 19 fëmijë, thanë autoritetet shëndetësore të Hamasit.

Pa përmendur sulmet, ushtria izraelite tha se një “incident në rajonin e Jabalia” ishte duke ndodhur. Izraeli është zotuar të shkatërrojë Hamasin në përgjigje të sulmeve të 7 tetorit, për të cilat zyrtarët izraelitë thonë se vranë rreth 1200 njerëz. /Telegrafi/