Telegrafi

OBSH ndihmon Kosovën me 238 oksigjeno-koncentratorë

Sot 238 oksigjeno-koncentratorë, donacion i Organizatës Botërore të Shëndetësisë iu dhuruan Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Në ceremoninë e pranim-dorëzimit të oksigjeno koncentratorëve, donacion i OBSH-së për QKUK-në, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj theksoi se po e pranojnë një donacionin e radhës, që për nga cilësia dhe sasia ndihmon shumë në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe luftën kundër pandemisë COVID-19.

“Kjo është një ndihmë shumë e çmuar në këtë kohë të pandemisë. OBSH gjithnjë na ka ndihmuar dhe është një krah mbështetës, pa të cilin do ta kishim shumë të vështirë. Aktualisht, përmes OBSH dhe partnerëve të tjerë po përpiqemi të futemi në radhë që të sigurojmë vaksinës kundër COVID-19 (në rast se aprovohet për përdorim). Po ashtu OBSH do të sjell në Kosovë edhe aparate për teste RT-PCR, me të cilat Instituti Kombëtar i Shëndetësisë̈ Publike të Kosovës/IKSHPK do të shtojë edhe ndërrimin e tretë të testimeve. Do të rris kapacitetet diagnostikuese për SARS-Cov-2, përkatësisht për testime për COVID-19. Gjatë kësaj kohe, OBSH na ka mbështetur edhe në zbatimin e Planit Strategjik të Komunikimit për COVID-19”, shkruan ministri në Facebook.

Ndërsa, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Valbon Krasniqi theksoi se çdo produkt që vjen nga donatorët do të shfrytëzohet në mënyrë të rregullt. /Telegrafi/