Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë e ka mirëpritur Joe Biden si president të zgjedhur të SHBA-së, duke thënë se mezi pret që të punojë shumë ngushtë me administratën e tij.
Tedros Adhanom Ghebreyesus tha në një samit virtual të OBSH-së se “Ne duhet të rimagjinojmë lidershipin, të ndërtojmë besimin e ndërsjellë dhe llogaridhënien e ndërsjellë, për t’i dhënë fund pandemisë dhe për të adresuar pabarazitë themelore që qëndrojnë në rrënjën e kaq shumë problemeve të botës”, raporton BBC.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka ngrirë fondet amerikane për OBSH-në dhe filloi procesin e tërheqjes nga trupi shëndetësor botëror.
Ai vazhdimisht e ka akuzuar atë si “Kinë-qendër” në trajtimin e pandemisë – një akuzë e mohuar nga Tedros.
Joe Biden, para se të bëhej President i zgjedhur, kishte postuar në llogarinë personale në Twitter se “Në ditën time të parë si President, unë do t’i bashkohem OBSH-së dhe do të rivendos udhëheqjen tonë në skenën botërore”. /Telegrafi/