“OBRM-PDUKM duhet të ketë kujdes me politikat e saja sepse kështu si po vepron po largon qytetarët nga partia, por edhe partitë shqiptare për koalicion të mundshëm. Këto ishin fjalët e ushtruesit të detyrës kryetar i ASh-së, Arben Taravari në Click Plus duke folur për iniciativën për referendum të OBRM-PDUKM-së.
Taravari tha se partia e Mickoskit duhet të ketë kujdes veçanërisht kur flet për euro integrimet.
“Unë mendoj se OBRM-PDUKM ka nevojë seriozisht të rishqyrton politikat e saja, posaçërisht kur bisedohet për euro integrimet dhe mendoj se paraqitjet e këtilla së paku ky fjalor të cilin e përdorë, thjesht mendoj se shumë i largon prej qytetarëve.
TV21: Po prej partive politike shqiptare?
“As që diskutohet prej partive politike shqiptare. Ne e kemi thënë edhe publikisht këtë se me këtë mënyrë të shprehjes dhe pengesës që i bëjnë fillimi të negociatave, unë mendoj se largohen shumë prej partive politike dhe u zvogëlohen kapacitet koalicionuese më partitë politike shqiptare dhe mendoj se seriozisht duhet ta shqyrtojnë politikën e tyre së paku me atë që dalin në publik”, u përgjigj Arben Taravari, U.D Kryetar i Aleancës Për Shqiptarët.
Por për OBRM-PDUKM-në deklarata e Taravarit si duket nuk përbën problem.
Në një përgjigje me shkrim thonë se OBRM-PDUKM është partia politike më e madhe në Maqedoni dhe partnerët e koalicionit mund t’i zgjedh vetë.
“OBRM-PDUKM është partia politike më e madhe në Maqedoni dhe e ka mundësinë që partnerët e koalicionit t’i zgjedh vetë. Mbetemi të fokusuar në rrëzimin e qeverisë aktuale dhe i thërrasim të gjitha partitë politike të cilët mendojnë se qeveria aktuale është kriminele, e korruptuar dhe e paaftë në vend që të vetë ofrohen për të hyrë te e njëjta, të bashkëngjiten në luftën për rrëzimin e qeverisë”, thanë nga OBRM-PDUKM.
Ndërkaq në një paraqitje televizive për 360 gradë, kreu i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski tha se eventualisht në formimin e një qeverie të re për partner koalicioni preferon më shumë opozitën shqiptare. /Tv21